Tuesday, June 4, 2024
Gjakova Presss

Sa është sahati në Sahat Kullë?

Nga Ministria e Kulturës u investuan gati njëqind mijë euro katër vjet më parë dhe u quajt si njëri ndër objektet më të bukur të trashegimisë kulturore në Gjakovë. Por, qytetarët mund t’ia shohin sherrin nëse vendosin t’i besojnë orës në Kullën e Sahatit, e vendosur në pjesën e vjetër të qytetit, tek vendi i quajtur “Fusha e Sahatit”. Ka gati dy vjet që akrepat e kësaj ore kanë ngecur tek njëmbëdhjetë e tre minuta dhe kjo gjë shpesh sjell huti tek kalimtarët e rastit dhe banorët e lagjes.

Ndalja e përkohshme e akrepave e ka përciellur Kullen e Sahatit që nga restaurimi i saj në vitin 2009, kryesisht për probleme të vogla teknike dhe ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa “aktiviteti” i saj është shuar përfundimisht në gjysëm të vitit 2011 dhe sipas zyrtarëve të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, institucion nën përkujdesjen e së cilit është objekti, kjo ka ndodhur për shkak të një defekti të rëndë të mekanizmit të orës.

Në  këtë Institut,   kur ishin ndalë akrepat   patën  thënë se avaria është shkaktuar si pasojë e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, ndërsa dëmi është aq i madh e i ndërlikuar, saqë atë nuk kanë mundur ta rregullojnë edhe disa ekspertë nga Kroacia e Gjermania. Ky institute është ende në pritje të një ekipi ekspertësh nga Londra, ekip i cili e bën mirëmbajtjen e Big Bengut

Deri sa ky defekt të sanohet, qytetarët janë të detyruar të orientohen në ndonjë orë tjetër, sepse në të kundërtet kushedi se çfarë planesh mund tu prishen nëse vendosin t’i besojnë ores në Kullen e Sahatit.

Kulla e Sahatit ishte ndërtuar menjëherë pas objektit të Xhamisë së Hadumit më 1597 dhe qëndroi deri te luftërat Ballkanike kur u rrënua më 1909. Aktualisht cilësohet si njëri ndër objektet më të rëndësishme të trashegimisë kulturore në komunën e Gjakovës por edhe më gjërë.