Shala: Në Spitalin e Gjakovës, çdo ditë, mesatarisht trajtohen mbi 50 pacientë të dyshuar me Covid 19
Nga fillimi i pandemisë Covid 19 e deri me sot në komunën e Gjakovës janë infektuar 304 persona, ndërsa ka pasur 20 raste të vdekjeve. Fatbardhësisht të premten, nuk është raportuar për raste të reja. Mirëpo të dhëna flasin për gjendjen e rënduar në komunën tonë dhe për kujdesin e shtuar që duhet të kemi në përmbushjen e masave mbrojtëse kundër korona virusit. Kështu ka thënë sot për Radio Gjakovën, edhe drejtori i Spitalit “Isa Grezda”, Hilmi Shala gjatë bisedës rreth situatës aktuale në këtë institucion shëndetësor, që nga Korriku, kur ka hapur repartet për trajtim të të sëmurëve me Covid 19. Sipas tij, mantelbardhët e Gjakovës po punojnë pandërprerë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe se, “ata duhet të trajtohen si heronj”.
“Situata epidemiologjike, si në gjithë Kosovën, edhe tek ne është e rënduar. Nga muaji Korrik kemi filluar ti trajtojmë rastet me Covid 19, mirëpo javët e fundit është ngarkuar tej mase . Kemi pas vështirësi mjaft të mëdha, por stafi është i mobilizuar dhe po bënë gjithçka që të shkoi mbarë. Kemi pas 70 shtretër fillimisht e më pastaj i kemi shtuar edhe 10 të tjerë në kujdesin Intensivë për pacientë me gjendje më të rënduar. Gjatë gjithë javës me fluks nga 50 pacient. Sot kemi 52 pacient që janë duke u trajtuar në repartet e spitalit, 22 nga këta janë pozitiv, 30 priten të testohen kurse 3 janë në gjendje të rëndë. Një pacient është në respirator. Gjendja e tjerëve është stabile pos tri rasteve”, ka thënë drejtori Shala duke shprehur falënderime për gjithë stafin e spitalit.
Shala ka fol edhe për sfidat e çdoditshme të mjekëve dhe personelit shëndetësor të Spitalit, ndërsa ka kujtuar edhe mënyrën se si bëhet pranimi dhe trajtimi i të sëmurëve me Covid 19.
“Pacientit sëpari, në bazë të shenjave klinike që ka, i bëhen analizat. Bëhet rëntgeni i mushkërive, dhe përcaktohet nga mjeku se kush duhet të hospitalizohet dhe kush duhet të vetizolohet në shtëpi. Ata që e kanë gjendjen më të rënduar me frymëmarrjen e vështirësuar zakonisht hospitalizohen. Pjesa tjetër ose trajtohen në shtëpi me terapi ose vetizolohen dhe nuk kanë nevojë për terapi. Sipas statistikave të deritashme, 80 % e pecientëve nuk kanë fare simptoma. 10 % hospitalizohen dhe 10 % izolohen në shtëpi. Kemi një kategori të pacientëve që janë duke u trajtuar në shtëpi dhe nuk lajmërohen fare te mjeku dhe kur po vijnë në spital po vijnë në gjendje të vështirësuar”, ka thënë Shala.

Ai ka përmendur edhe vështirësitë me disa nga familjarët e të shtruarve në spital, kurse distanca, maskat dhe higjiena personale janë tri këshillat dominuese.
“Këshilla mbetet ajo e institucioneve shëndetësore të Kosovës, mbajtja e maskës, distancës dhe higjienës. Të shmangim ku ka grumbullime. Të mos dilet pa nevojë. Edhe nëse dilet të pihet kafe, jo 10 vet në një tavolinë. Një këshillë tjetër për familjarët e pacientëve që janë të shtrirë në spital është se nëse rezulton njëri familjar pozitiv mos të rrinë në dhomë tek koka e pacientit sepse dalin të gjithë pozitiv dhe sjellin telashe të reja”, ka përfunduar Shala.