Thursday, March 28, 2024
AktualeLajme

Shëndetësia gjakovare fokusim I Këshilltarëve Komunal

Kuvendi-i-Komunes-GjakoveKëshilltarët Komunal të Gjakovës  më shumë se katër orë kanë punuar në mbledhjen e tretë të Kuvendit të Komunës së Gjakovës për vitin 2014. Mbledhja nën kryesimin e kryesuesit Luan Gola ka nisur me plotësimin e tre vendeve të zbrazëta në Kuvend, ku betimin e kanë dhënë Rrok Luli (PDK), Vjollca Roka (AKR) dhe Diana Hajdari (PSHDK) . Më shumë se  minuta ka vazhduar debate se  a duhet apo jo të hyjë si pikë e veçantë e rendit të ditës çështja e shpalljes së zonave me interes publik për rrethrrotullimin në dalje të Gjakovës kah Prizreni, Impiantit të ujërave të zeza dhe për hapësirën pranë QKMF-së. Kjo pikë e rendit të ditës ka hyrë me procedurë të shpejtë për shkak se mundë të humben investimet e premtuara për këto projekte.

Seanca ka vazhduar me shqyrtimin e kërkesës për formimin e Komisionit për Emërtimin e Rrugëve, si obligim ligjor që secila rrugë të ketë emrin dhe kodin e veçantë.

Xhelal Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka dhënë sqarimet e duhura teknike rreth procedurës të bazuar në ligj  për emërtimet e zonave të qarkullimit publik. Në këtë kontekst, drejtori Xhelal Hoxha ka bërë të ditur se në Komunën e Gjakovës janë identifikuar 970 kode të veçanta, prej të cilave 248 janë emërtuar, ndërkohë që të paemërtuara kanë mbetur edhe 722 kode si dhe shtesa prej njëzet përqind e emërtimeve rezervë. Për realizimin e këtij projekti BE-ja dhe qeveria norvegjeze kanë ndarë 55 mijë euro, ku secila rrugë e emërtuar do ta ketë tabelën.

Pas diskutimeve është vendosur që Komisioni për Emërtimin e rrugëve të ketë këtë përbërje prej përfaqësuesve të gjashtë partive politike si dhe përfaqësues nga organizata dhe institucione tjera, si dhe një anëtar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit.

Pos anëtarit nga Shoqata e Veteranëve të Luftës që pritet të sjellin propozimin e tyre, anëtarë tjerë janë emëruar: Mahmut Lila , Xhevat Zeneli, Artan Nimani, Ilhami Shala, Simon Deda dhe Driton Çaushi nga përfaqësuesit politik ndërkaq nga organizatat dhe përfaqësimet fetare janë emëruar Ahmet Hoxha, Ndue Kajtazi, Xhevat Koshi, Veprore Shehu dhe Nesemi Dervishdana, si dhe Lulzim Haxhiu nga DUMM-së.

Në këtë mbledhje gjithashtu është themeluar edhe Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Gjakovës e cila do të kryesohet nga kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila e në mungesë të saj me këtë këshillë mundë të drejtoi edhe nënkryetari I komunës Ramadan Hoti.

Poashtu është miratuar edhe propozim-vendimi i kryetares Mimoza Kusari Lila që të mbështetet kërkesa e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” për dhënien në shfrytëzim të objekteve për punë të universitetit. Në bazë të këtij vendimi  në shfrytëzim të përkohshëm ipen objektet e ish Shkollës së Lartë Pedagogjike “Bajram Curri”, Fakulteti i Edukimit  dhe objekti i ish Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”.

Në rendin e ditës ka hyrë edhe një pikë tjetër që kishte të bënte me shpalljen e zonave të interesit të veçantë, ku bëhej fjalë për rrethrrotulimin në rrugën në dalje në drejtim të Prizrenit, për hapësirën pranë QKMF-së për rregullimin e hapësirës tek Kulla e Sahatit si dhe për impiantin që gjendet në rrugën që shpie në drejtim të “Zidit së Sadik Agës”, prapa “Deva Gazit”. Të tri këto janë votuar ndaras dhe që të tri kërkesat të sjellura si propozim-vendime nga kryetarja Mimoza Kusari Lila janë votuar unanimisht.

Kuvendi i  Komunës ka krijuar edhe tri komisione të reja komunale për ndërmarrjet publike “Stacioni i Autobusëve”- / Hasan Krasniqi, Elhami Shala dhe nje këshilltar nga radhët e AAK_së/ , “Çabrati” /Silvana Domi, Masar lluka dhe Arberie nagavci/  dhe “Ngrohtorja e Qytetit”/Nora Dobruna, Arben Rogova dhe Anton Shala/.

Më pas, nga këshilltarët komunal, me kërkesë të subjektit politik AAK është debatuar mbi gjendjen në shëndetësinë e Komunës së Gjakovës.

Saranda Hyseni kryesuese e Grupit parlamentar të AAK-së, kritikoi qeverisjen aktuale për mosfunksionimin e QKM-së.

“Më lejoni që të shpreh shqetësimin e qytetarëve të Gjakovës për zhvillimet në sistemin primar shëndetësor, përkatësisht në Mjekësinë Familjare pas marrjes së detyrës nga qeveria e re. Në një kohë kur pritej avancim i QKMF-s, pasi janë vu bazat për një zhvillim të tillë, askush nuk e ka besuar se QKMF do të degradojë në këtë mënyrë. Fillimisht u tha se është në pyetje një defekt elektrik, pastaj se objekti ekzistues nuk i plotëson kushtet dhe se duhet të ndërtohet një objekt I ri, nesër nuk e di se çka do të thuhet?!… Di vetëm një gjë, se nga krejt kjo amulli që e ka shkaktuar Kusari- Lila, më së shumti po pësojnë qytetarët.” tha këshilltarja  Hyseni.

Një vështrim të gjendjes në shëndetësinë gjakovare e ka bërë Basri Komoni, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë. Ai tha se buxheti prej  dy milion e 144   mijë eurove është pamjaftueshëm për kërkesat e mëdha që ka shëndetësia primare në komunën e Gjakovës. Kjo I bie që për kokë banori ndahen 22.8 euro në vit.  85 % e këtyre mjeteve shkojnë për paga ndërsa shumë pak mbetet për të plotësuar nevojat e shërbimeve shëndetësore dhe shpesh vjen deri te mungesat edhe të gjërave më elementare për mjekët dhe pacientët.

Në pyetjen kryesore që kishte të bënte rreth Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, nga Basri Komoni, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë është dhënë njoftimi se pas përfundimit të procedurave të hetuesisë pas djegies të shkaktuar nga rrjeti i rrymës si dhe me alokimin e dytë të mjeteve financiare planifikohet që në mesin e muajit prill të hapet tenderi për riparime.

Nga Luan Gola, në emër të grupimit politik LDK janë dhënë disa rekomandime, që siç u shpreh, do të trajtohen edhe në Komisionin për Shëndetësi. Sipas Goles,  Gjakova ka infrastrukturën shëndetësore më të mirë në Kosovë. Ka shërbimet primare dhe sekondare të shëndetësisë, pasta Institutin e Mjekësisë së Kosovës dhe Qendrën e Shëndetit mental. Mirëpo, sipas tij mungon një organizim më I mirë për shëndetin më të mirë të popullatës posaçërisht në organizimin për aktivitete preventive.

“Po kalojnë dekada dhe në komunën e Gjakovës nuk bëhen vizita sistematike të nxënësve nëpër shkolla. Me këto vizita mundë të eliminoheshin shumë sëmundje që në start pa u bërë pacientët më vonë barrë e buxhetit në shërim. Janë evidente edhe sëmundjet e dhëmbëve. Fatkeqësish ka raste kur  vjeçarët bëhen me proteza”, tha Gola.