Shëtitje verore në qytetin tonë
Shkruan: Agim Jaka
Vapa e ditës me temperaturë të lartë më bën të shkriftë dhe e ndiej veten si një copë brumë buke që ka ardhur së tepërmi dhe ka dalë mbi buzët e tenxheres. TV me lajme të përgjakshme dhe me situata rreziku për jetën e njerëzve, më rëndon edhe më shumë gjendjen emocionale.
Qeni i Salustros
Sikur mos të mjaftonin lajmet e mërzitshme, që të grijnë nervat dhe të bëjnë të të dhembë stomaku, dëgjoj edhe një lajm “bombë”: Qeni i Salustros, prokurorit të EULEX-it, e ka rrezikuar jetën e një vajze të mitur, teksa po shëtiste për t’u freskuar nga vapa e madhe bashkë me qenin e tij, dhe vajza, e shastisur më shumë se e lënduar, është dërguar në spital për t’i dhënë ndihmën e parë, sepse atë nuk ia ka dhënë prokurori!. Së paku kështu thonë lajmet e para, deri në një demant apo konfirmim të dytë.
Ushtima e motorëve
Zhurma dhe ulurima e vazhdueshme e makinave dhe në to muzika deri “në dërrasë” e të rinjve, që të shkaktojnë “bubullima” në zemër, sikur e rëndojnë edhe më shumë vapën dhe ngritin temperaturën edhe ashtu të padurueshme. Kurse gërvima e rrotave të motorëve të mëdhenj e të vegjël në çdo kohë të ditës e natës, që i drejtojnë djelmëria jonë (shpesh me vajzat në shpinë), jo vetëm të shurdhon e të grinë e copëton nervat, por edhe të futë frikën se pak më tutje mund të ndodhë ndonjë skenë e llahtarshme me përgjakje e vaje nga përplasja.
Si shkruhet?
Këso uturima motorësh sa vijnë e shtohen sidomos në këto ditë pushimi të bashkatdhetarëve emigrantë politiko-ekonomikë, për të cilët komunarët tanë janë kujdesur “maksimalisht” për t’i pritur “mirë e më mirë” dhe për këtë qëllim kanë vënë edhe banderola në pika të dukshme të rrugës kryesore, ku shkruhet: “Bashkatdhetarë – Gjakova ju mirëpret”, që po ta “përkthejmë” do to thotë “Bashkatdhetarë është Gjakova ju mirëpret!”. Të shkruajmë si duhet gjuhën e ëmbël të mëmës?! Cikërrimë hesapi!, thonë memurët.
Era e qofteve
Marrë të hap dritaret për të marrë pak frymë dhe për të thithur ajër të pastër, edhe pse i nxehtë, por i mbyll më shpejt se ç’i kam hapur nga kundërmimi i rëndë dhe i padurueshëm i tymit të përzier me kundërmimin e rëndë të yndyrës së qebapëve e qofteve të djegura në skarë, që vjen nga qebaptorja e lagjes, e cila punon pa ndërprerë nga mëngjesi deri në mëngjes, pothuajse 20 orë! Çudi me njerëzit tanë, të gjithë shajnë, por askush zyrtarisht nuk ankohet për këtë torturë tym e prush. Këto janë ekonomitë tona të vogla që punojnë, bashkë me kafenetë, baret e ëmbëltoret, ku akullorja dhe boza të shuajnë etjen në këto ditë kur dielli përcëllon, prandaj nuk ke si të ndalosh punën e tyre, por tymin mundet dikush që është përgjegjës për këto punë. Ka inspektorë që marrin rroga nga shteti, apo nuk ka?
Ruaju nga qeset e najlonit!
I mërzitur dhe i dërrmuar deri në skaj të kufirit të durueshëm, i them gruas të dalim për të shëtitur që të shpëtojmë nga këto lajme tmerr e ferr dhe nga kjo ufëm e korrikut me tym e prush. Dalim.
Por nuk dimë nga të ecim. Të ecim përskaj ndërtesave të mëdha, frikohemi se mos na “dhurojnë” peshqesh kokës ndonjë najlon me plehra, që mamatë përtace e me “edukatë” i hedhin shpesh nga ballkonet e banesave. Të ecim skaj rrugës, mund të të godasë “me të drejtë” ndonjë motor apo makinë që fluturon para teje si të ishte në një pistë të garave automobilistike.
Terri dhe veturat
Rrugën nëpër të cilën zumë të ecim, e gjejmë pa drita, nuk ka ndriçim! Megjithatë vazhdojmë të ecim kuturu në trotuarin plot mbeturina të të gjitha llojeve të hedhura gjithandej. Herë-herë dalim skaj rrugës së asfaltit të gërryer e të lënë pa e përfunduar, ku është grumbulluar aq shumë pluhur, sa e urren pa të drejtë ndonjë shofer që është i detyruar të kalojë andej. Dhe sikur mos të mjaftonin papastërtitë në trotuare e rrugë, na dalin përpara shumë makina luksoze, sidomos aso të ardhura nga jashtë, por hiç më pak nuk ngelen mbrapa as ato vendaset, që janë “shtrirë” sa gjatë e gjer, për shtatë palë qejfe, si i thonë fjalës, pa rregull, dhe i kanë zënë trotuaret në të dy anët e rrugës, kurse ti duhet të kesh zhdërvjelltësinë e gjarprit a të bollës dhe të përshkosh e të dalësh shëndoshë pa u gërvishtur e pa të goditur ndonjë motor a makinë e harlisur. Dhe ky lëmsh është gjithandej, por edhe në trotuaret e rrugët që kalojnë pranë stacionit të policisë!
Kur i shikon gjithë ato makina, ta merr mendja se shqiptarë jemi më pak në numër se makina! S’e merr vesh njeriu: është standard, mirëqenie apo fukarallëk?
Rrugët po lagen e nuk po lahen ?
Dhe vazhdojmë të ecim gjithnjë duke u lakadredhur rrugës që “të kripë” me pluhurin që ngritin makinat, sepse autoboti i komunales, që spërkat gjysmën e rrugës kryesore në mëngjes dhe në mbrëmje, nuk mjafton për të hequr pluhurin që është shtresuar prej ditësh, sepse rrugët tona lagen, nuk lahen. Kurse do të duhej të lahen, jo të lagen sa për sy e faqe, sepse është një shpenzim kot.
Kalojmë pranë kazanëve të plehrave, ku janë shënuar fjalët që u bëjnë thirrje atyre që dinë të lexojnë, që ta mbajnë Gjakovën të pastër, por qytetarët thua se për inat i hedhin plehrat në tokë, mu skaj kazanit dhe ikin duke qeshur e duke thënë me vete “nuk ma ndien për shtetin!”. Dhe këso skenash ke sa të duash e ku të duash!
Kalojmë përskaj parqeve të qytetit. Nuk ke çfarë shikon: plehra gjithandej, ndërsa bari dhe lulet më bëhet sikur çirren duke kërkuar “pak ujë, aman, se u thamë!”
Emërimet e dyçaneve
Na bëjnë përshtypje firmat e dyqaneve të ndryshme përskaj rrugëve, që tregtojnë mallra konsumi nga më të llojllojshmit. Me përjashtime shumë të pakta, ato mbajnë emra në gjuhë të huaj! Si kështu?! Ka aq shumë të huaj që e vizitojnë qytetin tonë, apo duan të na imponojnë patjetër gjuhën e huaj? Po fëmijët tanë që nuk e dinë ende gjuhën e huaj, si do të orientohen në këto dyqane? Mos harroni, shtete edhe më serioze e kanë nxjerrë një ligj që ndalon rreptësishtë firma në gjuhë të huaja. Përse ne të bëjmë përjashtim?
Muzika shurdhuese
Vazhdojmë ecjen ngadalë dhe na bien në sy disa të moshuar, të cilët kanë dalë në ballkone t’i kalojnë ca çaste të qeta në orët e vona të natës, sa për t’u freskuar e çlodhur nga vapa e ditës. Por nuk kanë si, sepse muzika e rëndë dhe zhurma që shkaktohet nga muzika dhe nga zërat e të rinjve që janë ulur në kafenetë poshtë tyre, e që nuk duan t’ia dinë për të moshuarit, nuk i lë të qetë. Ata, të pakënaqur nga kjo mungesë kujdesi për ta, seç mërmërisin disa fjalë, dhe futen brenda në dhomë për t’ia futur gjumë, nëse i lë zhurma të mbyllin sytë. Por, edhe po të duan, ata nuk i zë gjumi, se kanë merakun e nipërve e mbesave që kanë dalë në ora 22.00 dhe kthehen ose jo të nesërmen në ora 03.00!
Shitësi i librave pa “sefte”!
Në një kënd të qytetit, na bie në sy një shitës ambulant i librave historikë, romaneve e literaturës tjetër artistike, i cili shikon dhe rrudhë krahët sepse, i ngjitur tërë ditën për karrige, nuk ka bërë ende sefte, kurse aty para syve të tij, një metër më larg, të rinjtë paguajnë dhjetëra euro për pije dhe nuk çajnë kokën për të dhënë pak, fare pak për ndonjë libër!
Rruga një apo dy kahore!
Kalojmë nga parku kryesor në rrugën kryesore të qytetit, që është rruga më e shëmtuar! Falë “largpamësisë” dhe vizionit për zhvillimin e qytetit, Gjakova, që kishte vënë që para disa dekadave piketat për rrugën kryesore me dy kahe, sot thuajse është i vetmi qytet që nuk ka një rrugë të tillë. Kjo ka bërë që po pate ndonjë punë në komunë dhe je banor i lagjeve larg ndërtesës së komunës, të duhen mbi pesë kilometra vajtje-ardhje me makinë, për të kryer punë.
Kështu e pashë qytetin tim në një ditë korriku me vapë!