Thursday, March 21, 2024
Gjakova Presss

Shkollarët me uniformë ia shtuan bukurinë Gjakovës

 

Shme Kadri Kusari

 

“Më mirë vonë se hiq” thotë një fjalë e urtë popullore. Kjo do të vlente për nxënësit e gjimnazit “Hajdar Dushi” që filluan ta veshin uniformën shkollore. Më parë e kishin bërë edhe ta të “Gjon Nikollë Kazazit”, ndërsa nxënësit e  “Mjekësisë” me kohë  ka qenë të dalluar me mantelat e bardhë. Mëngjeset dhe mesdita kur shkollarët janë më tepër në rrugë kanë fituar në bukuri, pikërisht falë veshjes elegante shkollore. Kur filloi ky vit shkollor ishte qëndrim i Drejtorisë së Arsimit që të gjithë nxënësit të bartin uniformën. Kjo në parim u përkrahë nga të gjithë, në shkollë, familje e vecanarisht nga shumica e nxënësve. Mirëpo problem në vete për shumë prindër doli kostoja e lartë e tyre. Edhe nxënësit kanë mendimet e tyre, disa prej të cilave i shkëputëm në një anketë që bëmë me ta.

Bartja e uniformës, këtë vit shkollor edhe në Gjakovë ishte aktualizuar së tepërmi.  Është  bërë rregull që të përdoret si nga nxënësit, ashtu edhe nga mësimdhënësit nëpër shkollat tona. Uniforma është një mjet i domosdoshëm që nxënësit të identifikohen më lehtë nga  personat e jashtëm, por edhe për t’u identifikuar nxënësit se janë të shkollës përkatëse. Ndonëse po kalon pjesa e parë e këtij viti shkollor, nxënësit e disa shkollave ende nuk janë pajisur me veshje të veçantë.

Ata e bartin uniformën me kënaqësi dhe thonë se ndihen mirë me uniformë shkollore.“Mua më pëlqen shumë uniforma shkollore dhe nuk kam asnjë problem me të” janë përgjigjet më të shpeshta.

Arsyeja e vonesës së pajisjes së nxënësve me uniforma, sipas drejtuesve të shkollave, ka të bëjë me procedurat e stërzgjatura të prokurimit.  Problemi më i madh për mosbartjes të uniformës nga ana e nxënësve është te shkollat e mesme. Për shkak të mungesës së uniformës së nxënësve, edhe menaxhmeti i shkollave po e ka të vështirë t’i identifikojë nxënësit, por  edhe niveli i sigurisë nuk është në nivelin e duhur. Përkundër faktit se pjesa dërmuese përkrahin idenë e bartjes së uniformës,  një pjesë e nxënësve nuk e preferojnë shumë bartjen e uniformës, mësimdhënësit thonë se nëpërmjet kësaj veshjeje nxënësit janë të barabartë dhe nuk ka mundësi të vërehen se cilët nxënës jetojnë me kushte më të vështira  ekonomike.

 

Box

Uniformat shkollore siç duket bëjnë që sjellja sociale të jetë më e mirë në klasë dhe për rezultate më të mira të nxënëseve.

Këtë të paktën e ka gjetur një grup i hulumtueseve i Universitetit në Giessen (Gjermani). Në një studim eksperimental shkencëtarët nën udhëheqjen e psikologut Oliver Dickhäuser pyetën 8 klasë të një shkolle në Hamburg. Ata erdhën te rezultati se nxënësit në veshje uniforme u koncentroheshin më mirë në mësim dhe i trajtonin bashkënxënësit më pak në mënyre sipërfaqësore.

Gjysma e klasave të vëzhguara (klasa e 5 deri në të tetën) vizitonin shkollën kryesore dhe atë reale në Hamburg-Sinstorf, në të cilën nxënësit bartin pulovër ngjyrë kaltër me emblemën e shkollës. Klasat tjera vizitonin një shkollë përafërsisht të njëjtë, por pa rregullore për veshje. Shkencëtarët vëzhguan sidomos te klasat e larta me uniforma një dallim të qartë në sjelljen sociale nëpër klasa. Por psikologu tërheqë vëmendjen, se vetëm veshja e njëjtë nuk do i zgjidhte të gjitha problemet në klasat shkollore. Sidomos nxënësit dhe prindit duhet të jenë të bindur për konceptin e bartjes së uniformave shkollore, por është e nevojshme edhe angazhimi i mësuesve.

Ekipi i hulumtueseve nga Giessen-i poashtu gjeti, se nxënësit e uniformuar e vijojnë më mirë mësimin. Dickhäuser shpjegon se bartësit e iniformave më shumë e vlerësojnë për të  kuptuar përmbajtjen e lëndës.  Dickhäuser e vlerëson në përgjithësi pozitivisht veshjen e njëjtë, dhe thotë se uniformat do t’ju kursente shumë stres psikosocial nxënëseve.

 

Mendime

 

Si ndihesh me uniformë, sa është atraktive për ty

 

Moza:Në gjithë botën nxënësit kanë uniformë, që në klase të parë e deri në vit të katërtë gjimnaz Gjithë janë të veshur njëlloj. Bash na ka lezet shpirti…!!!(haha). Unë ndjehem mirë  Pos që ishte çmimi i lartë i tyre për xhepat e familjeve tona!!!.

 

Besa: Kisha thanë se kjo është një gja e mire, sepse nuk krijohen diferencime mes nxënësve që kane mundësi ekonomike dhe atyne qe nuk kanë. Arsye tjetër është se paraqitja e tyre bëhet ma serioze dhe nuk len vend për konflikte mësues-nxënës të tipit; fundi është shumë i shkurtë, ke barkun jashtë, apo ke gjoksin jashtë….por para se të caktohet uniforma kishte qenë mire që disa nxënës të japin mendime se si të bëhet uniforma, . se në fund të fundit janë ata që kanë me i vesh.

 

Leoni: Bartja e uniformave asht një gja shumë e mire. Në këtë mënyrë gjithë  janë të veshur njësoj e kërkosh nuk ndihet në siklet se nuk ka një veshje të modës si pjesa tjetër e klasës, sepse nuk mundet me ia ble prindi. Plus që tash vajzat e mbledhin mendjen e nuk rrinë me mendu një orw se çka me vesh n’shkollë.

 

Tala nxënës e shkollës profesionale Gjon Nikoll Kazazi thotë: Me të vërtet tani po ndihemi     nxënës shkollar me uniforma, tamam po dallohemi që I përkasim një institucioni shkollor.

 

Yllka gjimnaziste e klasës së dhjet thotë : Më pëlqen që dallohemi nga shkollat tjera. Për mua është një edukatë të mbash uniformë, pastaj çka është më kryesorja ,  po ndihem shumë rehat me to.

 

Genti nxënës I klasës së njëmbëdhjetë i Gjimnazit thotë: Ndihem mrekullueshëm kur shoh qe nuk jam i vetmi ne at veshje dhe se gjithë shkolla ka marr një ngjyrë, atraktive mendoj se është mjaft shumë për arsye se jemi gjenerata e par e gjitha kohërave që mbajmë uniforma te tilla.

 

Tina nxënëse e klasës së dymbëdhjetë në gjimnazin Hajdar Dushi: Mirë shumë. Unë ndihem mirë kur e shohë veten në pasqyrë e të tjerët në shkollë,  më duket se tani u bëmë nxënës të vërtetë. sikur me par nuk shkonim ne shkollë po diku tjetër.. Si modele  janë shumë të mira por shpresojë që do të na qëndrojnë e do i veshim rregullisht të gjithë deri sa të përfundoj shkolla..

 

Gentina nxënëse e klasës së dymbëdhjetë: Mirë shumë po ndihem!  Me të vërtet më ka hjek një dert të madhe sepse  sa herë jam zgjuar nga gjumi në mëngjes mendja menjëherë më shkonte se çfarë do të vesh sot në shkollë, ndërsa tani vetëm kujdesem për pastrimin e tyre…

 

Ylli nxënës I klasës së njëmbëdhjetë: Ndihem super edhe besoj se të gjithë jemi të kënaqur me atraktivitetin e tyre, thjesht po ndihemi tamam nxënës…

 

Krenarja,  nxënëse e klasës së dymbëdhjetë: Për mua uniforma në shumë aspekte më duket atraktive për faktin se jemi të gjithë të barabartë dhe nuk dallohemi nga statusi ynë financiar në mënyrën e të veshurit, por ka diçka qe s’më pëlqen është  pastrimi I shpeshtë edhe tjetra që po na duhet ti veshim çdo ditë të njëjtat!…

 

Jeta nxënëse e klasës së dymbëdhjetë : Për mua uniforma qe shumë e mirëseardhur, por nuk më pëlqente çmimi shumë i nxehtë prej 44 eurove! Pastaj,  ne maturantët do ta kemi një periudhë shumë të shkurt kohore që ta bartim atë,  por prapë ato kanë një rëndësi të madhe për mua sepse me bëjnë të ndihem tamam nxënëse.

 

Anella nxënëse e shkollës profesionale “Gjon Nikollë Kazazi: thotë: Uniforma është një veshje shumë e qëlluar sepse te gjithë jemi të njejt. Po ashtu tregohemi qe jemi nxënës te një shkolle dhe jo te një feste. Me te vërtet me pëlqen shumë

 

Eliza nxënëse e shkollës profesionale “Gjon Nikollë Kazazi” thotë :

Ndihem me të vërtet mirë me uniformë.. Ajo na bënë të gjithëve të barabartë nga pamja dhe tregon që jemi nxënës te vërtet të shkollës.

 

Ka edhe të atillë që nuk u pëlqen modeli.
Në anën tjetër, bartja e uniformës nuk pëlqehet edhe aq nga nxënësit, dhe për këtë arsye ka raste kur ata një pjesë të uniformës  nuk e mbajnë veshur, por e lënë në çantë.

“ Uniforma nuk më pëlqen fare, për këtë arsye edhe nuk e veshi rregullisht. Nuk më pëlqen  modeli i saj”, është shprehur Dona, nxënëse e shkollës së mesme në Gjakovë. Po këtë mendim e kanë edhe disa nga shokët dhe shoqet e saj. “ Unë nuk e marrë rregullisht uniformën me vete në shkollë , pasi që shumica e nxënësve nuk e pëlqejnë dhe as mua nuk më pëlqen”, është shprehur Arbeni.

Por, për dallim nga ta shumica uniformën e bartin rregullisht. Një gjë të tillë është shumë lehtë për ta verifikuar, pasi që edhe në qytet ata e mbajnë uniformën. Mirëpo ka raste kur nxënësve nuk u ka pëlqyer modeli i veshjes shkollore, sidomos i fundit, dhe nxënëset i kanë shkurtuar duke i bërë funde të shkurtra. Një gjest i tillë i nxënësve të lë përshtypjen se,  a po e vesh atë nxënësja për t’u identifikuar si nxënëse a për t’u dukur më  bukur.(Gjakovapress)