Shoqata e intelektualëve Jakova, komemoracion për prof.dr. Masar Rizvanolli
“Me ndarjen nga jeta të prof. Masar Rizvanollit, familjarët humbën njeriun e dashur, ndërsa Gjakova, Kosova dhe historiografia kombëtare u varfëruan për një njeri që aq shumë i deshi, punoi dhe i madhëroi këto”, u tha të premten në mbrëmje, në mbledhjen komemorative të kryesisë së Shoqatës së intelektualëve Jakova, ku i ndjeri për shumë vjet ishte në krye të saj.
Prof.dr.Ruzhdi SEFA, kryetar aktual i shoqatës tha se Komuniteti intelektual dhe Shoqata Jakova këto vite mbeti pa disa nga kokat me të shquara të Gjakovës dhe Kosovës: pas akademik Besim Bokshit, ak. Pajazit Nushit, ak. Esat Stavilecit, ak. Mark Krasniqit, prof.dr. Ymer Jakës, po varfërohet me vdekjen e prof. Masarit.
“Me ndarjen nga jeta të prof. Masar Rizvanollit, familjarët humbën njeriun e dashur, ndërsa shkenca shqiptare mbeti pa pedagogun, studiuesin, veprimtarin dhe humanistin, i cili do të mbetet në kujtesë për gjenerata të tëra për vlerat dhe atributet e tij të larta intelektuale. Rizvanolli krahas angazhimit si pedagogë në UP, ishte redaktor i Buletinit Shkencor të Fakultetit Filozofik, mentor i sa e sa doktoraturave dhe magjistraturave në studimet historiografike, autor i shumë librave, hulumtimeve, monografive dhe burimeve të tjera historike shkencore”.
Në mbledhjen e sotme komemorative, ishin të pranishëm edhe familjar të të ndjerit të cilët thanë se data e varrimit të prof.dr. Masar Rizvanollit do të dihet pasi të jepen rezultatet e Obduksionit.