Shtrirja gjeografike dhe në vite e burgosjeve
Shkruan: Agim Jaka
Në një numër të revistës GJAKOVA PRESS, ata që e kanë lexuar, janë njohur me numrin e madh të të dënuarve politikë dhe të personave të përndjekur të komunës sonë, nga viti 1913 deri në vitin 1999, kur makineria serbe dhe pushteti i saj pushtues gjakatar u detyrua të largohet përgjithmonë nga Kosova dhe më 17 shkurt 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik.
Por, për të arritur në ditët që po i jetojmë sot, brezat e rinj duhet ta dinë se rruga nuk ka qenë e shtruar me dafina. Jo. Ajo ishte një rrugë tepër e mundimshme, e përgjakshme, e vështirë dhe e rëndë, sidomos për personat e burgosur, për familjarët, për të afërmit dhe të tjerët, që e ndienin dhe e përjetonin rëndë ripushtimin e Kosovës (pas pushtimit të parë më 1913) dhe shkeljen e premtimit dhe të vendimeve të marra gjatë luftës çlirimtare, ku qenë shkruar, nënshkruar dhe të proklamuar pikat e Rezolutës së Bujanit, mbajtur në datat 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944.
Premtimet dhe vendimet e udhëheqësve të LNÇ, siç quhej dhe njihej në popull dhe si e shkruan historia, se pas çlirimit të vendit populli i Kosovës do të vetëvendosë lidhur me fatin e tij, nëse do të jetojë në kuadër të Jugosllavisë së re që po lindte, apo do të bashkohej me Shqipërinë, u shkelën me të dy këmbët, u mohuan dhe u zhvlerësuan, kurse pjesëmarrësit dhe autorët shqiptarë të Rezolutës u vunë nën llupën e vëzhgimit më të rreptë, u ndoqën dhe u akuzuan më vonë për separatizëm, u akuzuan se po punonin kundër interesave të Jugosllavisë Demokratike, që, siç thoshin udhëheqësit e saj, do të respektonte të drejtat e popujve dhe të minoriteteve dhe do të ishte e ndryshme nga Jugosllavia e mbretërve, të para vitit 1941.
Të gjitha këto premtime dhe vendime, jo vetëm që nuk u realizuan, por për popullin shqiptar të Kosovës, të Preshevës, të Maqedonisë e të Malit të Zi filloi një kalvar i ri, nëse jo më i rëndë se ai i Jugosllavisë së paraluftës, së paku po aq i rëndë, i mundimshëm, mizor dhe gjakatar.
Këtë kalvar nëpër të cilin po kalonte populli shqiptar i mbetur në Jugosllavi, më së miri e dëshmojnë mbi 900 të burgosurit politikë dhe 21 shekuj dënime me burg të rëndë politik, që kishin vuajtur nëpër burgjet anembanë ish- Jugosllavisë së Josip Brozit, më pastaj të satrapit Millosheviç vetëm njerëzit e komunës sonë.
Sepse, ende pa u mbyllur plagët e luftës, në Drenicë u bë kërdia në njerëz. Serbët “komunistë”, që deri dje në luftë kishin mbajtur shenjat çetnike, dhe ata që kishin luftuar krah për krah me partizanët shqiptarë po hakmerreshin kundër shqiptarëve, të cilët gjatë luftës i quanin vëllezër!
Kështu, pas mbylljes së rastit të Drenicës në mënyrën më gjakësore dhe të pashembullt, pas rrëmbimit të të rinjve shqiptarë nga mbarë Kosova dhe likuidimit të tyre fizik në mënyrën më mizore dhe çnjerëzore në kasaphanën e Tivarit, pa asnjë faj dhe bërë asnjë vepër të dënueshme, në çdo qytet e fshat të Kosovës filloi rrëmbimi i shqiptarëve natën dhe likuidimi i tyre pa gjyq. Nga ana tjetër filloi edhe burgosja e shumë prej atyre që kishin qenë aktiv gjatë luftës dhe që po shprehnin hapur mospajtimin me gjendjen e re të krijuar, sidomos pas vendosjes së shtetrrethimit dhe masave të sundimit të ligjit të forcës, përmes vendosjes së regjimit ushtarak, me ç’rast qe suprimuar çdo e drejtë elementare shqiptare.
Kishte filluar nata e kristaltë kundër shqiptarëve, e planifikuar në skutat më të errëta serbe që gjatë LDB-së! Edhe njëherë, për të satën herë, po jo edhe për të fundit herë, po vihej në jetë programi i hartuar i teoricienëve e “shkencëtarëve” serbë për shfarosjen e shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës. Këto programe, si ai i Garashaninit (1844), i Çubrilloviçit (1937, 1945) dhe i fundit, Memorandumi i Akademisë Serbe të Shekenës, me Qosiçin në krye (1986), kishin plane të hollësishme që ishin hartuar e miratuar nga organet më të larta të shtetit serb, me qëllim të qërimit përfundimtar të hesapeve me shqiptarët.
Fillimisht shqiptarët u dënuan me afate të gjata burgimi dhe u dërguan në burgun famëkeq në Goli Otok (ujdhesë e zhveshur e shkëmbore), i ngritur në një ujdhesë në mes të detit Adriatik, pastaj në Lepogllavë, Sremska Mitrovicë, Nish, Idrizovo etj.
Nga numri i përgjithshëm i ish të burgosurve nga komuna jonë, kemi këtë pasqyrë të shtrirjes gjeografike dhe vendbanimeve ku janë arrestuar të burgosurit, pastaj vitet kur janë burgosur dhe sa vjet kanë vuajtur dënimin me burg të rëndë apo për kundërvajtje politike.
Në shkrimin e kaluar kemi treguar për numrin dhe vitet e dënimit të ish-të burgosurve, ndërsa na u duk me interes të shohim edhe vitet të cilat kanë qenë më kritike për veprimtarinë politike të të dënuarve dhe shtrirjen gjeografike. E morëm këtë hap për të treguar shtrirjen e dhunës politike dhe fizike që ka ushtruar pushtuesi serb pothuajse në tërë territorin e komunës. Kjo dhunë ushtrohej me qëllim të frikësimit të popullit, në një anë, dhe për të parë ku ishte përqendruar rezistenca popullore shqiptare, për të ushtruar represion politik në ato vise të komunës që po i bënin rezistencë pushtimit më të ri, pas Luftës së Dytë Botërore, në anën tjetër.
Ndonëse të dhënat nuk janë të plota një qind për qind, megjithatë ato na tregojnë se pushteti serb ka ushtruar dhunë si në qytetin e Gjakovës, ashtu edhe në fshatrat e komunës. Nga të dhënat që ka zyra në Gjakovë, mund të themi se përqindja është 50 me 50. Kjo tregon se kundërshtimi i gjendjes së krijuar pas Luftës së Dytë Botërore nga popullsia e komunës është luftuar me dhunë e terror nga pushteti serb i vendosur në vitin 1945. Vetëm qytetarë kanë vuajtur dënimet me burg apo për kundërvajtje mbi 460 veta. Pas qytetit renditen (gjithnjë sipas numrit të të burgosurve) Ponosheci me 30 veta, Skivjani me 20, Rracaj me 19, Babajbokë me 16, Batusha e Damjani kanë nga 14, Gërçina, Morina dhe Ramoci me nga 13, Beci, Brekoci dhe Dobroshi me nga 12, Cermjani e Godeni nga 11, Dujaka, Lipoveci e Rogova me nga 10, Stublla, Kodralia e Novosella me nga 8, Hereçi 7, Doblibara, Molliqi dhe Ujzi me nga 6, Dallashaj, Gergoci, Nivokazi, Osekhyla, Pacaj, Popoci, Smaçi dhe Zhubi me nga 5, Dobrigje, Rrypaj dhe Smolica me nga 4, Deva, Doli, Shqiponja, Janoshi, Korencia, Kosharja, Neci dhe Sheremeti me nga 3, kurse me nga 2 të burgosur janë fshatrat: Baballoç, Bitesh, Brovinë, Damanek, Dardani (paralagje e qytetit), Kushavec, Meqe, Neshpal, Ponorc, Radoniq, Rashkoc, Trakaniq dhe Zhabel, ndërsa me nga një të burgosur janë fshatrat: Belle, Bishtazhin, Carabreg, Dabishevc, Duzhnje, Firzë, Golaj, Greme, Guskë, Kramovik, Lëbushë, Lubizhdë, Maqitevë, Marali, Marmull, Meje, Milaj, Petkoviç, Pobergjë, Potok, Qubrel, Radomir, Ratishë, Sopot, Zhdrellë dhe Zylfaj.
Nga të gjithë fshatrat e Gjakovës, 26 prej tyre nuk kanë asnjë të burgosur politikë që ka vuajtur dënimin me burg të rëndë apo për kundërvajtje politike. Pra, gati një e katërta e numrit të përgjithshëm të fshatrave. Kjo pasqyrë është e përafërt, sepse në shënimet që ka zyra në Gjakovë, mungojnë së paku edhe 300 veta që nuk janë paraqitur fare.
Këtu duhet cekur se në evidencën e zyrës janë edhe 6 të burgosur tropojanë dhe të fshatrave të tjerë përreth kufirit, që gjithsej bëjnë 20 persona.
Mendoj se për të pasur një pasqyrë se më të plotë të të dhënave interesante për lexuesit, do të jetë edhe viti kur janë arrestuar të burgosurit politikë të komunës. Duke qenë se nuk kemi të dhëna më të hershme, pra nga viti 1913 e deri më 1944, vitet që janë përfshirë në ligj, po japim një pasqyrë duke filluar nga të burgosurit më të moshuar, shumë prej të cilëve nuk jetojnë më.
Për shumicën e këtyre të dënuarve zyra ka nxjerrë vetëm emrat që i ka hasur nëpër libra të autorëve të ndryshëm, qofshin historianë apo publicistë. Kurse interesimi i zyrës për të kompletuar dokumentacionin e secilit do të vazhdojë edhe më tutje, sepse afati i paraqitjes zgjatë deri në tri vjet.
Kështu, në vitin 1945 kemi 18 të dënuar si kundërshtarë politikë në kohëzgjatje të ndryshme që shkojnë nga 30, 20, 19, 15, 8 dhe 7 vjet burg të rëndë, që shoqërohej edhe me punë të detyruar, ndërsa 9 veta janë dënuar me vdekje-pushkatim nga gjyqet ushtarake, që ishin ngritur anembanë Kosovës. Në vitin 1946 dënohen me afate të gjata burgimi 25 persona. Nga dokumentet tona del se dy prej tyre janë pushkatuar. Viti 1947 ka 42 të dënuar, viti 1948 ka 17 persona të dënuar, në vitin 1949 janë dënuar 26 veta, në vitin 1950 janë dënuar 25 persona, 9 persona në vitin 1951, 19 veta në vitin 1952, kurse 28 persona në vitin 1053, kurse nga viti 1954-1964 janë dënuar me burg për veprimtari armiqësore 85 persona.
Duhet të theksohet se në vitin 1965 është dënuar vetëm një person, kurse për herë të parë në vitin 1966 nuk është dënuar asnjë. Ishte viti kur u mbajt Plenumi i IV i KQ të LKJ, i njohur si Plenumi i Brioneve (sipas vendit ku u mbajt), ku u shkarkua nga të gjitha funksionet ish-ministri i Punëve të Brendshme i Jugosllavisë, Aleksandar Rankoviç. Kjo ndoshta ishte arsyeja pse nuk pati represion politik në atë vit dhe në vitet e tjera më pas, deri në vitin 1981, kur shpërthyen demonstratat, fillimisht të studentëve, pastaj në to u përfshi i gjithë populli. Këtë mund ta ilustrojmë me faktin se nga viti 1966-1980 kemi gjithsej 11 persona të dënuar me afate të ndryshme burgimi, prej tyre shtatë nga qyteti dhe katër nga katër fshatra me gjithsej 20 vjet burg.
Represion edhe më i ashpër dhe i paskrupull u ushtrua pas vitit 1981 e deri në mbarim të luftës çlirimtare, qershor 1999. Gjatë këtyre viteve janë burgosur dhe dënuar me burg të rëndë për vepra penale kundër shtetit dhe për kundërvajtje 564 persona, që kanë vuajtur gjithsej 948 vjet burg të rëndë.
Pa i harruar me këtë rast betejat e pandërprera të Lëvizjes kaçake në Kosovë pas aneksimit të Kosovës nga Serbia në vitin 1913 e deri në vitin 1940, heroizmin dhe sakrificat e luftëtarëve dhe të popullit, qoftë me burg apo me luftë, nga këto të dhëna del se kundërshtimi dhe mospajtimi i popullit me gjendjen e krijuar menjëherë pas LDB-së (1945-1967), demonstratat e vitit 1968, moto e të cilave ishte Kosova të fitojë statusin e republikës dhe të ketë universitetin e vet, deri në vitin 1980 (1968-1980), dhe nga demonstratat e vitit 1981 e deri në vitin 1997, pastaj nga 1997 lufta e haptë çlirimtare deri në qershor 1999, janë pesë fazat e qëndresës dhe mospajtimit me mbetjen e Kosovës në Jugosllavi si dhe me gjendjen e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve dhe trajtimin e tyre si popull i dorës së dytë.