Tatimi në pronë më i lartë në Gjakovë se sa në Prishtinë!
Këshilltari i Partisë së Drejtësisë në Kuvendin e komunës së Gjakovës, Bahri Bokshi, ka paraqitur shqetësimin e tij për vlerën e lartë të tatimit në pronë në teritorin e komunës së Gjakovës . Ai ka propozuar zvogëlimin e bazës për llogaritjen e tatimit në prone, gjë e cila sipas tij do të ketë si rregulltat rritjen e inkasimit nga ky burim i të hyrave vetanake dhe në këtë drejtim edhe ngritjen e performances së Kuvendit Komunal.
“Meqenëse në territorin e komunës së Gjakovës, gjendja socio-ekonomike është shumë e rendë dhe me qëllim që të ju lehtësojmë sado pak qytetarëve këtë gjendje, kërkojmë që të bëhet një analize e mirëfilltë për çdo kategorie të tatimpaguesve,” thuhet në kërkesën e tij drejtuar organeve vendimmarrëse.
Sipas Bokshit nuk mundë të jetë baza llogaritëse e një objekti afarist në qendër të Gjakovës më e lartë se në qendër të Prishtinës.
Pas shqyrtimit të kësaj kërkese në Komitetin për Politikë e Financa, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka formuar një komision i cili do të bëjë vlerësimin e tatimit në pronë në pajtim me standardet e përcaktuara nga Ministria për Ekonomi dhe Financa.