Wednesday, March 27, 2024
AktualeLajme

‘Ti je shefi. Ti vendos’ – Debat me të rinjtë gjakovarë

ti je shefi 1Në kuadër të projektit ‘Ti je shefi. Ti vendos’ projekt kushtuar vetëdijësimit të rinisë për procesin zgjedhor, I cili po implementohet në bashkëpunim mes organizatës JEF Kosova, Rinisë Shqiptare në Norvegji, Institutit Civita si dhe fondacionit Gjerman Konrad Adenauer Stiftung, të premten në Gjakovë u mbajt  një debat ku  ishin të ftuar përfaqësuesit e forumeve rinore të komunës. U  bisedua rreth problemeve që i kanë të rinjët në  komunë dhe programeve që partite e tyre kanë hartuar për të rinjët. Po botojmë raportin e organizatorit të këtij debati:

Fillimisht u bë prezentimi i idesë së projektit dhe aktiviteteve të deritashme nga kordinatorja e projektit ‘Ti je shefi. Ti vendos’  Ardita Osmanaj, e cila më pas shpalosi edhe disa nga statistikat e dalura nga anketimet e bëra gjatë muajit të kaluar në komunën e Gjakovës.

Sipas të rinjëve të anketuar në komunën e Gjakovës, 75% e tyre pajtohen se duhet të kërkohet më shumë llogaridhënie nga partitë politike, ndërsa 89% e të anketuarve kërkojnë që të ketë programe më të qarta për rininë të propozuara nga partite politike. Në pyetjen se cilat janë tri problemet kryesore në komunën e Gjakovës të rinjtë e kanë bërë të qartë se Arsimi është në rend të parë me 26% , Papunësia është një tjetër pakënaqësi e shprehur dukshëm me 22% , si dhe Korrupsioni me 20%.

Në pjesën tjetër të debatit të moderuar nga përfaqësuesi i projektit ‘Ti je shefi. Ti vendos’ Milot Rexhepi, fjala iu është dhënë panelistëve respektivisht kryetarëve të forumeve rinore të cilet kanë pasur mundësinë të shpalosin programet e tyre si dhe të shprehin pakënaqësitë e të rinjëve , problemet me të cilat preokupohen si dhe mënyren se si ata pretendojnë t’i zgjedhin këto probleme.

ti je shefiBesfort Smolica kryetar i forumit rinor të AKR-së  theksoi se AKR ka si synim përfshirjen sa më të madhe të rinisë në parti , dhe se fokusohet në problemet e rinisë siç janë papunësia, arsimi, sporti, dhe kultura. Ndërsa kryetari i Forumit Rinor të AAK-së  Kushtrim Brahimaj , ka shprehur se fokusi i partisë së tij është në rritjen e kualitetit në arsim, edukimin e të rinjëve, ngritja e nivelit të cultures perms aktiviteteve të ndryshme, organizatave të ndryshme joqeveritare, e gjithashtu një ndër pikat më të rëndësishme sipas z.Brahimaj është edhe sporti dhe zhvillimi i tij perms ndihmave të ndryshme financiare.

E vetmja përfaqësuese femër në këtë debat, Genta Domi kryetare e Forumit Rinor të LDK-së , i theksoi problemet me të cilat ballafaqohen te rinjte e Gjakoves siç janë normat e larta të papunësisë , diferencat gjinore, e gjithashtu problem shqetësues është edhe largimi I të rinjëve nga Gjakova, ku në 1200  të rinj, 1000 prej tyre largohen vazhdimisht për punë ose arsim në qytete ose vende tjera. Problem shqetësues është edhe vlerësimi i kësaj komune si e dyta në tërë territorin e Kosovës për dukurinë negative të narkomanisë.

 

Besfort Jaka përfaqësues i Forumit Rinor të PDK-së theksoi se është bazuar në disa pika për aktivizimin e të rinjëve në qytetin e Gjakovës, siç janë përkrahja e OJQ-ve rinore , hapja e shkollave profesionale , promovimi i artistëve të rinj , organizimi i festivaleve, e gjithasut pike me rëndësi sipas tij është edhe testimi i maturantëve për profilizimin  e tyre, dhe vetëdijësimi i rinisë kundër dukurive negative.

Demokrat Zhubi, nga forumi rinor i Lëvizjes Vetëvendosje tha se brenda partisë së tij nuk ka dallim apo ndarje të ç[shtjeve që e preokupojnë rininë nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ai theksoi idenë e ndërtimit të një qendre multifunksionale dhe në fshatra ndërtimin e objekteve socio-kulturore. Nje pikë tjetër e përqendrimit të Lëvizjes Vetëvendosje është edhe arsimi si dhe bursat për studentët.  Zhubi I bëri thirrje rinisë që të marrë pjesë sa më shumë në vendimarrje.

Pas shpalosjes së programeve nga përfaqësuesit e forumeve rinore të partive politike nga komuna e Gjakovës, në debat u shtruan edhe pyetje të ndryshme për panelistët, ku ndër pyetjet më të rëndësishme ishte se si do të shkojnë votimet në zgjedhjet e këtij viti, dhe cili do të jetë imazhi që do të krijohet në komunën e Gjakovës. Në këtë pyetje të gjithë panelistët u shprehën se do të bëjnë maksimumin që të parandalojnë dukuritë negative, siç janë vjedhja e votave, manipulimi, votimet kolektive etj, të cilat në zgjedhjet e kaluara ishin shumë të shprehura dhe që pa dyshim e kanë prishur imazhin e një procesi siç është procesi i votimit. Gjithashtu të gjithë të pranishmit bënë thirrje që rinia të marrin pjesë sa më shumë në zgjedhjet lokale të 3 Nëntorit, dhe të kenë më shumë kujdes për votën e tyre!