Thursday, April 4, 2024
Kulturë

Tryeza me moton “Poetët e Kombit Apelojnë”

Dita e dytë e manifestimi ndërkombëtar “100 mijë poetë për ndryshim”

Poetët shprehin mllefin e tyre

– Duke debatuar me moton “Poetët e kombit apelojnë”, pjesëmarrësit e këtij manifestimi, krijuesit i kanë çmuar si kategoria më e nëpërkëmbur në shoqërinë kosovare

poetetPërmes organizimeve në Gjakovë që i ka bërë Qendra Kombëtare e Poetëve, Artistëve dhe Shkrimtarëve (QKPASH) “Gjakova” Kosova është bërë pjesë e manifestimit ndërkombëtar kulturor “100 mijë poetë për ndryshime” i cili mbahet në shumë vende të Botës. Dita e dytë e këtij manifestimi, e mërkura kaloi në shenj të një ore letrare ku lexuan numër mjaft i madh i poetëve e posaçërisht i poeteshave dhe të tribunës që për moto kishte “Poetet kombëtar apelojnë”.

 

“Shpresojmë se mesazhet e poezive që sot po i lexojmë këtu, të bashkohen më zërin e poetëve nga mbarë Bota, në mënyrë që të ndikojnë në realizimin e ndryshimeve aq shumë të nevojshme në të gjitha fushat e jetës” është thënë në këtë tribunë ku pjesëmarrja ishte mjaft masive. Emërues i përbashkët i vlerësimeve që janë dhënë me këtë rast, ka qenë vlerësimi negativ për pozitën aktuale të krijuesve në shoqërinë kosovare, për të cilën u tha se është ofenduese.

“Krijuesit e të gjitha fushave, janë ndër kategoritë më të nëpërkëmbura në shoqërinë tonë. Ata ballafaqohen me probleme të shumta, pos tjerash edhe për faktin se një numër i madh i manifestimeve kulturore që organizohen tek ne, bëhen kryesisht në baza klanore e jo mbështetur në vlera të mirëfillta” ka thënë Mevlyde Saraqi, kryetare e QKPASH “Gjakova”, duke shtuar se këta krijues janë të gatshëm dhe të interesuar për ndryshime, prandaj, siç tha ajo, është aktuale thënia – “Bëje sot të mos qajmë nesër”!

Sa i përket vetë manifestimit “100 mijë poetë për ndryshime” Saraqi ka potencuar se qendra të cilës ajo i prinë, pavarësisht se punon në baza plotësisht amatore dhe vetëm fal vullnetit të mirë, është e gatshme dhe  vendosur që këtë ta shndërroi në aktivitet tradicional.

Ushtarët e UÇK-s luftëtar të pushkës, poetët luftëtar të penës

Me pozitën e krijuesve në shoqërinë tonë, me theks të posaçëm në komunën e Gjakovës, u shprehën edhe disa nga pjesëmarrës të tjerë të kësaj tryeze. Kështu, krijuesja, veterania e UÇK-s dhe invalide e luftës, Mimoza Shala, pati shumë vërejtje në sjelljen e zyrtarëve komunal të kulturës në Gjakovë, karshi krijuesve.

“Derisa ushtarët e UÇK-s kanë qenë luftëtar të pushkës, krijuesit janë luftëtar të penës. Fatkeqësisht, ata, nuk hasin në mbështetjen e duhur, sikurse që ishte rasti, kohë më parë, kur dyert e pallatit të kulturës ia patën mbyllur artistëve të cilët tërë jetën e kanë kaluar në dërrasat e skenës së këtij pallati. ” ka thënë Shala.

Në ndërkohë, Shkëndije Hoda, nënkryetare e QKPASH “Gjakova” ka pasur vërejtje edhe në sjelljen e zyrtarëve komunal karshi veprimtarive kulturore.

“Në asnjë aktivitet tonin të deritashëm nuk kanë qenë prezent strukturat komunale, madje as ata të drejtorisë së kulturës, ” është shprehur Hoda.

Për rëndësinë e këtij manifestimi kanë folur edhe Muhamet Rogova, Shefqet Dinaj e të tjerë.

“Poetët nuk solidarizohen me dhunën, përkundrazi mundohen që me fjalën e tyre të japin kontributin për dashurinë njerëzore dhe për një të nesërme më të mirë të njerëzimit” është shprehur Rogova. Manifestimi “100 mijë poetë për ndryshime” do të mbyllet sonte ( e enjte) kur do të shfaqet filmi dokumentar “Lotët e Lirisë” që i kushtohet të gjitha familjeve që më të dashurit e tyre i kanë pasur apo vazhdojnë t’i kenë të zhdukur.