Thursday, April 4, 2024
Kulturë

Ura e Tabakëve një tjetër destinacion turistik i Gjakovës

Shkëlqimi po i kthehet gradualisht  njërit nga monumentet identifikues të trashëgimisë kulturore dhe historike të  Gjakovës. Të mërkurën zyrtarisht, është përuruar projekti për revitalizimin e Urës së Tabakut . Të pranishëm në këtë ceremoni ishin drejtorë dhe zyrtarë komunalë, përfaqësues të lartë të Zyrës së BE-së dhe UNDP-së në Kosovë, të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe banorë të Gjakovës.

Ky projekt është realizuar nga programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim –UNDP,  përmes projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore”, i financuar nga Instrumenti i BE-së për Paqe dhe Stabilitet dhe komuna e Gjakovës. Punimet në këtë urë të shekullit të 18–të  filluan në korrik dhe vazhduan përgjatë katër muajve gjatë të cilave u kryen një numër punimesh përfshirë ndërtimin e promenadës dhe shëtitoreve, elektrifikimin dhe vizatimin e muraleve.

Pas Urës së Terzive, tani edhe ky objekt i trashëgimisë kulturore është në dispozicion të të gjithë vizitorëve

Ura e Tabakëve mbi lumin Erenik, e ndërtuar nga Esnafi i Tabakëve (lëkurë punuesit) të Gjakovës, më 1790,  lidhte Gjakovën me Shkodrën. Është e gjatë 127 m. dhe ka 14 qemere me dritare shkarkuese. Në te janë të gdhendura shumë reliefë. Në njërin nga qemerët e urës është e gdhendur një pëllëmbë dore me gishta, një rozetë e vogël me një sferë në mes dhe me rreze në mes të saj, me një figurë në trajtë gërshëre, vegël pune e esnafit që e ndërtoi urën. Në vendimin mbi mbrojtjen e saj thuhet se ka vlera historike, sociologjike, artistike, urbanistike dhe kulturore. Është nën mbrojtën e ligjit që nga viti 1962.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *