Wednesday, April 3, 2024
Aktuale

Dekorata të presidentes për dy personalitete nga Gjakova

Në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka ndarë dekorata për një numër të madh personalitetesh, të cilët cilësohet se kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën.

atifetePresidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e ka nderuar me çmimin “Urdhri i Lirisë” patriotin Musa Shehzade, ndërsa me çmimin “Urdhri i Pavarësisë”, prijësin fetar Sheh Zejnelabedin Dervishdana. Dy personalitetet nga Gjakova janë nderuar bashkë edhe me 31 personalitete tjera të Kosovës me rastin e 6 vjetorit të pavarësisë së shtetit tonë. Musa Shehzade ka lindur në Gjakovë, por tërë aktivitetin e vet kombëtar e ka zhvilluar anë e këndë trojeve shqiptare. I biri i sheh Hysenit të Teqesë së Madhe është ndër prijësit ushtarak të kryengritjes për çlirimin Shkupit në vitin 1912 dhe njëri prej themeluesve të Lidhjes së dytë Shqiptare të Prizrenit në vitin 1943. Musa Shehzade u pushkatua nga komunistët në vitin 1946 në Prizren, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur sot e asaj dite.

Nga ana tjetër, Sheh Zejnelabedin Dervishdana, i cili është nderuar me “Urdhrin e Pavarësisë”, njihet si një prijës fetar dhe një patriot i madh jo vetëm në rrethinën e Gjakovës por edh më gjerë. Ai ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit, duke filluar nga aksionet për pajtimin e gjaqeve, e deri tek ndihma direkte për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sheh Zeneli është vrarë në shtëpinë e tij me 26 mars të vitit 1999, bashkë edhe me dy djemt e tij Fahriun dhe Eminin.