Wednesday, March 27, 2024
Lajme

Ushtrim për gatishmërinë fëmijëve në raste emergjente

Me organizim të Kryqit të Kuq të Kosovës, Dega në Gjakovë, në partneritet me UNICEF-in dhe me mbështetje të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Agjensionin e Menaxhimit Emergjent dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të enjten,  në shkollën “Zekeria Rexha” është mbajtur një ushtrim (inskenim) në raste të përfshirjes nga zjarri dhe fatkeqësitë tjera në ambiente shkollore. Përmes këtij ushtrimi, në të cilën praktikisht kanë marrë pjesë Brigada e Zjarrfikësve, Policia e Kosovës, Kryqi i Kuq dhe shërbimi shëndetësor primar, është bërë evakuimi i nxënësve, dhënia e ndihmës së parë të nxënësve të lënduar, si dhe transportimi i të lënduarve më rëndë për trajtim të mëtejmë shëndetësor.

Me rastin e finalizimit të këtij ushtrimi, Besim Meqa, zyrtar në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka pohuar se: “Ky ushtrim organizohet për herë të parë dhe kjo bëhet me qëllim që fëmijët të kenë më shumë mundësi që të jenë më të përgatitur në raste të tilla. Ky është një ushtrim praktik dhe është një tregues se si do të reagonin fëmijët në raste të tilla”.

Nexhat Dula, kryetar i Kryqit të Kuq të Kosovës, Dega në Gjakovë, ka theksuar se ky ushtrim bëhet me qëllim që të sensibilizohet popullata, si dhe të shihet gatishmëria e tyre, sikurse edhe e personelit mësimor, policisë, zjarrfikësve dhe shërbimit mjekësor. Ndërkaq, Pashtrik Xërxa, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve, është shprehur shumë i kënaqur me punën e vartësve të tij, duke u shprehur se: “ Jam shumë i kënaqur me këtë ushtrim, dhe se ju vet e patë efikasitetin, ku do të na kishin lakmi jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në rajon”.