Vdes veterani i futbollit gjakovar Nafi Byci
Në moshën 85 vjeçare, të premten ka ndërruar jetë veterani i futbollit gjakovar, Nafi Byci. Fillimisht si futbollist i klubit Pashtriku e më pastaj i KF Vëllaznimi, Nafi Byci për 15 vjet ishte lojtar aktiv duke kontribuar në arritjet sportive përgjithësisht dhe në veçanti të futbollit në komunën e Gjakovës. Si 15 vjeçar e nisi rrugëtimin e tij si futbollist duke qenë gjithmonë i angazhuar për sukseset e klubit. Si qendërmbrojtës korpulent dhe shtatgjatë ai gjithnjë tregonte siguri për skuadrën dhe ishte frymëzues për bashkëlojtarët e vet.
Të gjithë ata bashkëlojtar që kanë lozur me Nafiun e mbajnë mend për vetit e tija si motivues për skuadren dhe këshillat e tija, ndërsa adhuruesit e zjarrtë të Vëllaznimit deri në vitin 1962, sa ishte aktiv, e kujtojnë gjithmonë si futbollist që me shpirt e zemër mbrojti ngjyrat e Vëllaznimit.
Edhe në kohën kur nuk ishte aktiv, Nafi Byci nuk u largua nga stadiumi i qytetit. Ai pothuajse çdo ndeshje të “Kuq e zinjve” e përcolli me vëmendje dhe gjithmonë ishte përkrah sukseseve të skuadrës.
Nafi Byci ishte ekonomist i diplomuar dhe drejtor i Ndërmarrjeve Çabrati, Deva e tjera.
Me rastin e vdekjes së veteranit të futbollit Nafi Bajram Byci të shtunën në orën 12.00 në Pallatin e Kulturës Asim Vokshi, me organizim të klubit të futbollit Vëllaznimi dhe sektorit të sporteve të komunës së Gjakovës do të mbahet mbledhje komemorative.
Në emër të KF Vëllaznimi, familjen Byci e ka ngushëlluar kryetari i klubit Agim Cana.