Vëllaznimi dhe trofetë e mbijetesës


Këto ditë shikoj tabelën e futbollit të Kosovës dhe e shoh Vëllaznimin të fundosur, përsëri! Përveç që ndjehem tepër i frustruar me këtë gjendje, më shfaqen edhe një varg kujtimesh të kaluara dhe mundësi të pashfrytëzuara. Zhgënjehem më tepër për mos-sukses, zhgënjehem për të ardhmen sepse hendeku është i madh në mes të nivelit ku dëshirojmë të shohim Vëllaznimin dhe realitetit ku ndodhemi: në fund të tabelës!
Të shprehëm haptas, Vëllaznimi është më shumë se klub futbolli! Vëllaznimi i radhitur në fund të tabelës nuk e paraqet vetëm fundosjen e futbollit të Gjakovës por thyerjen e shpirtit të qytetit, të paktën për ata që e njohin dhe përcjellin futbollin, e që në Gjakovë janë të shumtë.
Në mes të krenarisë dhe lavdisë së dikurshme që na dërgon në stadium dhe realitetit mediokër që tregojmë për disa vite me radhë, është konfuzioni që na dekurajon më shumë sepse pritjet dhe rezultatet janë në mospërputhje të madhe, dhe për më keq është e mjegulluar llogaridhënia zyrtare.
Thonë që koha matet me ngjarje, e ngjarjet e Vëllaznimit në 14 vitet e funditj anë kryesisht kriza, luftë për ekzistencë, ankesa, arsyetime, gjithçka përveç rezultate.
Pothuajse çdo vit e imagjinojmë ekipen në krye tabele, emocionohemi, e pastaj ndeshemi me realitetin, ulim kokën dhe vendosim synim të ri: luftën për ekzistencë, e jo-rrallë këtë e festojmë sepse e konsiderojmë sukses. Çfarë niveli është ky të festojmë diçka që në fakt është dështim? Ky nuk është fat, nuk është konspiracion nga federata apo klubet tjera, por është keq-menaxhim, mungesë e ambicies dhe vullnetit që është duke shtyer adhuruesit dhe gjithë futbollistët e rinj drejtë një mentaliteti mediokër sepse nuk shohin realitet t’mirë për inspirim.
Çështja e futbollit në Gjakovë është problem që kërkon zgjidhje. Mospërputhja e lartëpërmendur e pritjeve dhe rezultateve krijon dëshpërim të madh dhe është në pyetje e ardhmja e futbollit të këtij qyteti.
Ndoshta si pikënisje duhet ta kemi të qartë përgjigjen e një pyetje: A duhet të ulim pritjet për futboll apo Kryesia e Klubit duhet të punojë më mirë për të ngritur përformancën?
Këtë pyetje duhet ta trajtojnë të gjithë ata që e duan Vëllaznimin dhe futbollin.
Përsonalisht, e konsideroj që Gjakova është qytet që ka dëshirë të natyrshme për futboll, ka të rinjë të talentuar dhe shumë pasion, ka përkrahjen e tifozëve që do ta dëshironin shumë klube shqiptare e këto janë të mjaftueshme për të shërbyer si bazë për punë më të organizuar rreth zhvillimit të futbollit të qytetit që do ta ngritë Vëllaznimin në nivel më të lartë, ta bëj më dominues në futbollin e Kosovës.
Autor: Albion Curri