Vellaznimi luan me Hysin pa publikë-Radoniqi thotë kemi shpresa
Futbollistët e Vëllaznimit që po luftojnë për pikët e mbijetesës në superligën e futbollit kosovar, ndeshjen e ardhshme me Hysin do ta luajnë në stadiumin e zbrazur nga publiku. Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës dje e ka dënuar skuadrën tonë me një ndeshje pa praninë e publikut në fushën e vet për shkak të hedhjes se gjësendeve në terren dhe goditjen e asistentit të parë nga ana e spektatorëve në ndeshjen me Trepçën 89. Drejtorit te klubit Ahmet Morina i është shqiptuar masa disiplinore “Qortim” për shkak të fyerjes dhe kërcënimeve ndaj referit anësor Jakup Musolli.
Kryetrajneri i Vëllaznimit Ekrem Radoniqi i ka vlerësuar si tejet të rënda këto dënime sepse e rëndojnë akoma më tepër përpjekjen e gjithëmbarshme të skuadrës gjakovare për ti ikur rënies nga liga. Radoniqi ka thënë se përkundër këtyre trysnive duhet mbledhur forcën për tu angazhuar në ndeshjet e mbetura, sepse ende ka shpresë për mbijetesë.