Thursday, March 28, 2024
AktualeKulturëLajme

Yllka Domi, vajza që nuk deshi përmendore

Ishte vetëm 17 vjeçare, por ishte dukshëm më e veçantë se bashkëmoshatarët e saj. Aktiviste e gjithanshme, valltare, aktore, poeteshë e në fund edhe lufëtare për liri e dëshmore. Ishte kjo Yllka Domi, që me vepren e saj ka lënë nga një copë shpirt të vetin tek secili që e ka njohur e që nuk e ka njohur gjatë jetës së saj të shkurtër. Në këtë formë poetesha e dëshmorja yllka Domi u përshkrua edhe të enjten, gjatë promovimit të librit “Në rrugëtim me Yllka Domin”, i cili përfshinë vepra të botuara dhe të tjera të mbetura në dorëshkrim të poeteshes, por edhe poezi e shkrime që të tjerët i’a kanë kushtuar asaj. Ky libër është promovuar në kuadër të manifestimit tashmë tradicional “Në rrugëtim me Yllka Domin – poete dhe dëshmore”, i cili për të dytin vit me rradhë po organizohet nga Qendra Kombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova”. “Yllka, një vajzë e re me plot ëndrra, përkundër mësimeve brengosej edhe për popullin e saj të përvuajtur, për të cilin u angazhua, punoi dhe në fund e dha jetën”, ka thënë kryetarja e QKPSHA “Gjakova” Mevlyde Saraçi, i cila bashkë me poeteshën tjetër Shkendije Hoda, kanë grumbulluar dhe janë perkujdesur për botimin e disa prej krijimeve ende të pa publikuara të Yllkës.

Emocione gjatë promovimit ka përshkruar edhe bashkëluftëtarja e Yllkës, Mimoza Shala, e cila ishte njeriu i fundit që është ndarë nga Yllka. Duke i evakuar edhe një herë ato momente të rënda të ndarjes, Shala ka thënë se i vjen mirë që ka mbetur gjallë për të treguar historinë e Yllkës dhe dëshmorëve tjerë. “Ndonjëherë ndjehem keq që kam mbetur gjallë kur shumë shokë dhe shoqe nuk jetojnë më. Por, sot jam e gëzuar që jetoj, sepse jam dëshmitare e dëshmorëve”, ka thënë ajo.

Shala ka rikujtua poezinë e fundit të Yllkës, shkruar vetëm dy ditë para se të vritej, e në të cilën thoshte : ”Përmendore nuk dua, nëse në kurrizin e qytetit tim gjeni një shkop, vendoseni afër kokës sime …”, poezi e cila, sikurse edhe shumë të tjera të saj, e ka parashikuar fundit e lavdishëm të poeteshës së re.

Përveç veprës “Në rrugëtim me Yllka Domin”, është promovuar edhe kënga “ Liri e pakuptuar”, kushtuar yllkës, ndërsa çmimi tradicional “Yllka Domi”, të cilin Qendra … e ndan për çdo vit, kësaj rradhe i ka takuar veprimtares Majlinda Nushi, aktiviste dhe bashkëpunëtore e Yllkës.