Saturday, August 31, 2024
FejtoneGjakova Presss

ZEJET E GJAKOVËS- Terzitë

Shkruan: Zeki Vehapi

 Gjithmonë më kanë tërhequr zejet e vjetra që janë kultivuar në Gjakovë. Rrëfimet e të parëve tanë për ritet e punës dhe jetës në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës më kanë impresionuar për  faktin se me sa dashuri kanë punuar, nga mëngjesi deri në mbrëmje, pastaj për koloritin e prodhimeve, mjeshtërive dhe të vet dyqaneve. Prandaj, në karrierën time të gjatë gazetareske  më kanë nxitur këto tema dhe mu për këtë më kanë nxitur të intervistojë shumë zejtarë të vjetër,  për të mbajtur gjithnjë të freskët këtë pasuri të trashëgimisë kulturore të popullit tonë. Shumë kohë kam kaluar mes zejtarëve të vjetër gjakovarë duke vështruar punën e tyre të palodhshme por edhe duke dëgjuar rrëfime interesante nga e kaluara e zejtarisë.  Në anën tjetër këto rrëfime më janë bërë akoma më interesante kur i kam lexuar e dëgjuar historitë e profesorit të palodhshëm, Masar Rizvanolli, i cili në mënyrë kompetente,  të gjithanshme (vet ka punuar si shegert neper dyqanet e Çarshisë se Vjetër)  e profesionale (profesor i historisë) e  ka pasqyruar Çarshinë e Vjetër të Gjakovës si një visar të çmuar.

Në vazhdimësi të revistës  “Gjakovapress” do të shpalosim disa nga intervistat me zejtarët gjakovarë që i kam bërë për më shumë se tri dekada.

Pak histori për rrethanat ekonomike  (1839-1878)

Gjakova në saje të pozitës së vet të përshtatshme gjeografike, (në mes të rrëzave malore në veri-perendim dhe në perendim si dhe fushës së gjërë e pjellore gati në të gjitha anët e tjera), me kohë u shndërrua në një qendër pazari të rëndësishëm për këmbimin e prodhimeve blegtorale të viseve malore me ato bujqësore (të agrikulturës) të rrafshit. Kjo mundësoi edhe zhvillimin e zejtarisë dhe tregtisë në qytet.

Zejtaria ishte dega më e zhvilluar ekonomike e Gjakovës që nga themelimi i këtij qyteti. Zejtarët ishin të organizuar në esnafet e tyre, me qëllim të rregullimit të prodhimit dhe qarkullimit me pakicë të mallrave në kushtet e rendit feudal. Esnafet më të rëndësishme për nga roli i tyre në jetën ekonomike e politike të qytetit ishin ato të tabakëve (lëkurpunuesve) dhe të terzive (rrobaqepësve). Në fillim të shekullit XVIII u formua esnafi i terezive, kurse ai i tabakëve nga mesi i atij shekulli.

Në këtë kohë në qytet kishte rreth 366 dyqane zejtare, ku punonin afro 1834 punëtorë zejtarë. Në këtë qytet zhvilloheshin 22 zeje, prej të cilave më të njohurat ishin këto dyja që u përmenden më sipër. Rreth 8000 banorë jetonin nga zejtaria e tregtia, gjë që për atë kohë ka një domethënje të posaçme.

Esnafi i terzinjve përfshinte në gjirin e vet zejtarët e të gjitha llojeve, përveç tabakëve, papuçëxhive, kasapëve dhe samarxhinjve, të cilët i takonin esnafit të tabakëve. Esnafet i kontribuan ndërtimit të qytetit, të urave, të rrugëve dhe të degëve të tjera të infrastrukturës.

Esnafi i terzive rreth vitit 1730 ndërton Urën e Terzive mbi lumin Erenik, në rrugën kryesore që lidh Gjakovën me Prizrenin. Ndërtimi i kësaj ure zgjati afro 10 vjet.

Esnafi i tabakëve ndërtoi Urën e Tabakut (ëve), gjithashtu mbi Erenik, e cila lidh qytetin me Hasin, Rekën e Keqe dhe Malësinë e Gjakovës. Ndërtimi i kësaj ure zgjati afro 5 vjet dhe u përfundua rreth vitit 1790.

Në gjallërimin e zejtarisë dhe tregtisë në të gjitha qytetet shqiptare, në shekullin XIX, rol të rëndësishëm luajtën zejtaritë shtëpiake. Kjo formë zejatrie e cila edhe në Gjakovë ishte e zhvilluar, merrej kryesisht me prodhimin e pëlhurave, qilimave, sexhadeve, zhgunave etj.

Tregtia ishte një degë tjetër e rëndësishme me të cilën merreshin banorët e Gjakovës dhe rrethinës (vetëkuptohet, kryesisht banorët e qytetit). Gjakova ishte një ndër qendrat më të rëndësishme ekonomike që përfshiheshin në rritjen e sistemit tregtar ndërkrahinor të Shkodrës, e cila e fitoi edhe rëndësinë e një qendre tranzite të dorës së parë për Ballkanin. Deri në vitet shtatëdhjetë të shekullit XIX, tregtia e kësaj treve ishte e orientuar në drejtim të Shkodrës. Prandaj, rëndësia e qyteve të Prizrenit, Pejes dhe Gjakovës i atribohet jo vetëm lëvizjeve tregtare krahinore, por edhe atyre ndërkrahinore, duke menduar me këtë rast në Shkodrën. Me ndihmën e rrugëve të reja Kosovë dhe të lidhjeve hekurodhore Selanik – Shkup (1873) dhe Shkup – Mitrovicë (1874), u manifestuan çrregullime në sferën gravituese komunikative-tregtare në dëm të Rrefshit të Dukagjinit. Si pasojë, në fund të shekullit XIX I gjithë qarkullimi tregtar që zhvillohej nëpërmjet të Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës për Shkodër e Bregdetin Adriatik, kalon në qytetet e Rrafshit të Kosovës: Mitrovicë, Prishtinë, Ferizaj dhe orientohet drjet Selanikut. Kjo situatë e krijuar shkaktoi rënien e potencialit ekonomik të Gjakovës dhe zvoglimin e numrit të banorëve, të cilët migronin në qendrat e tjera zejtare e tregtare të Kosovës dhe të viseve të tjera (Shkup, Manastir, Shkodër, Selanik, Stamboll etj).

Cilat janë të dhënat e para për Çarshinë e Madhe?

 Çarshia e Madhe e Gjakovës lindi me paraqitjen e zejtarëve të parë dhe të prodhimit përpunues zejtar, diku kah fundi I shekullit XVI. Dihet saktësisht se Xhamia e Hadumit u ndërtua më 1595 dhe  meqë pjesa e çarshisë që gjendet në Mëhallën e Hadumit paraqet bërthamën e Çarshisë së Madhe,  atëherë del se pikërisht në këtë kohë ekziston një numër i madh i dyqaneve dhe punishteve zejtare. Por,  të dhënat e para për Çarshinë e Gjakovës i kemi nga udhë përshkruesi turk Evlia Çelebiu, i cili e vizitoi Gjakovën më 1662 dhe, si duket,  u mahnit me bukurinë dhe begatinë e qytetit dhe të qytetarëve  gjakovar. Ai, ndër të tjera shkroi: ”Gjakova i ka dy mijë shtëpi të stolisura që  ndodhen mbi një fushë të gjerë. Ka dy xhami të bukura , mesgjide, hane të mbuluara me plumb. Ka një  hamam të  bukur që ta kënaq zemrën dhe nja treqind dyqane me një mijë lloje mjeshtërish”. Duke folur për mbresat që i lan gjakovarët te ai , vazhdon: ”Meqë e ka klimën  e këndshme, banorët janë  të bukur dhe të dashur.”

“Terzitë e Gjakovës” të njohur në Ballkan

 Peri e gjilpëra bashkë me mjeshtërinë e qepjes bëhen preokupim i dorës së parë për shumë familje gjakovare. E tillë ishte edhe  familja e Sulejman Haxhiavdylit,  me një traditë shekullore. Terzitë  janë marrë me premje, qepje e qindisje rrobash kombëtare  për burrat e gratë.

Shekujt me kujdes palosen në histori. Mes shekujsh Gjakovën e shohim qytet të zejtarisë e tregtisë,  qytet të punëtoreve të pa lodhshëm të zejeve nga më të ndryshmet. Dikur, në këtë hapësirë terezite, tabakët e të tjerët e kishin fjalën kryesore në zhvillimet e qytetit.  Ata  me punë e djersë ia venin themelet vendbanimit të ri që po rritej. Shtati i Gjakovës, sipas të dhënave historike nis rriten nga Xhamia e Hadumit,  e ndërtuar në vitin 1594.  Rreth kësaj xhamie ndërtohen dyqanet ku nis filin zejtaria.

Ndër dyqanet e para që ndërtohen në çarshinë e madhe janë ato të terezive,  apo të rrobaqepësve, dëshmi kjo që tregon se terzitë ishin të parët zejtarë të Gjakovës,  krahë për krahë të cilëve filluan të zhvillohen edhe Tabakët (lëkurëpunuesit) e më vonë edhe Kazazët(mëndafshpunuesit) e të tjerët.

Esnafi I terzive të Gjakovës kishte rrolin dominant në zhvillimin,  jo vetëm të kësaj zeje,  por edhe të zhvillimit të gjithëmbarshëm shoqëror ekonomik e politik. Terzitë e Gjakovës dalloheshin për prodhime cilësore,  për rroba,  mentana e tjera që qepeshin me dorë,  me një  kujdes shumë të shtuar,  për t’i ofruar popullit të Kosovës dhe jashtë asaj  produkte cilësore dhe unikate.

E gjatë ishte rruga e sigurimit të pëlhurave dhe stofit tjetër të nevojshëm për terzitë e Gjakovës. Sa ishte e gjatë aq edhe e mundimshme.

Krahas punës së mjeshtërve dhe kallfallarëve,  nëpër dyqanet e terezive, mënyra e funksionimit si esnaf ishte e veçantë. Brenda tarzive mbretëronte një organizim i veçantë i punës edhe në rrjedhat tjera shoqërore të asaj  kohe dhe të zhvillimit të qytetit. Ura mbi lumin Ereniku është ndërtuar pikërisht me mjetet dhe djersen e terzive të Gjakovës ndërsa shumë familje e vendbanime të ngatërruara atë botë u miqësuan mes vete,  në saje të ndërhyrjes së Esnafit të terzive.

ZEJA E TERZIVE NË FAMILJEN E HAXHIAVDYLIT

Intervistë e zhvilluar në prill të vitit 1987,  me terziun Sulejman Haxhiavdyli( lindur më 20.03.1921, vdiç më 23.07.1995). Për të qenë sa më origjinale, intervistën me S.H po e botojmë në të folmen e Gjakovës, ashtu siç  ka rrjedhur biseda dhe si është shprehur ai.

 Peri e gjilpëra, bashkë me mjeshtrinë e qepjes bëhen preokupim i dorës së parë për shumë familje gjakovare. E tillë ishte familja e Haxhiavdylit me një traditë shekullore.

Në vazhdim po botojmë bisedën që bëra në prill të vitit 1987 me Sylejman Haxhiavdylin, në dyqanin e tij karakteristik ,  skaj Xhamisë së Hadumit.

Gjyshi, Sylejman Haxhiavdyli ishte kryetar,  ndër të parët në esnafin e terzive, ndërsa nipi i tij që trashëgoj edhe zejen,  edhe emrin,  edhe sot punon në të njëjtin dyqan,  skaj Xhamisë së Hadumit,  dyqan ky që është ndër të parët i ndërtuar në këtë pjesë të Çarshisë së Vjetër të Gjakovës.

Me 67 vjetët sa ka tash Sylejman Haxhiavdyli radhitet ndër terzitë më të vjetër të qytetit tone, prandaj   përmes këtij bashkëbiseduesi do të mundohemi që sa do pak të ju njohim me këtë zeje,  ndër të parat në qytetin tonë

 Sylejman Haxhiavdyli : Unë kom fillu prej fminisë me punu,  edhe kom vazhdu prej 1928 –shes e pa u  da hiq,  deri me  tash .

Sigurisht se edhe të parët tuaj kanë qenë terzi?

Ka punu edhe baba. Ai si hoxhë u kon po zanatin e ka punu. Qashtu edhe gjyshi Sylejmoni i  Haxhiavdylit ka punu gjithmonë. Gjyshi ka rrnu 81 vjet en zanat. Me 1914-shën  ka vdekë.

 Kjo do te thotë se zeja e terzive në familjen e juaj ka diku mbi 100 vjet apo?

Po ma tepër se 100 vjet,  ma tepër se 150 vjet , edhe vazhdimisht kemi punu po en qit dyqan si zejtarë rrobaqepës. I ka ma tepër se 200 vjet qe janë  ndertu kto dyqane .

 Gjithë herë ka qenë dyqan terzishë apo përpara ka pas ndonjë destinim tjetër…?

Babagjyshi ka mësu prej nji mjeshtri shkodranë,  ktu kujshi,  ku osht sod magazina e “Agimit”. Ai shkodrani u kon ma s’pari.  Babgjyshi ka mësu prej tine edhe masanej ka vazhdu zejen terzi.

Në saje të cilësisë së mirë të prodhimeve të terzive të Gjakovës, këto  ishin mjaft të kërkuara, apo?

Kanë qenë t’kërkume shumë prej popujve të Ballkanit. Puna e Gjakovës qe oshtë bo prej terezive,  edhe pi Kazazve gjithashtu,  edhe pi tabakve, se e kan bo likuren e oshtë punu. Ham ktu edhe përjashta o shku(shitë) shumë. Edhe teshat e oficirave t’vjeter, n’kohë të Turqisë . Ka kep babgjyshi si zejtar thojke: “Vetem bjerma ta shohë se si osht yrrneki,  atë herë unë dogri ta boj”,  edhe ja ka bo,  edhe ato i ka bo si zejtar i zanatit terzi. Iu ka kep shumë tesha atyne .

Çfarë vegla pune kanë qenë atëherë?

Veglat t’punës kanë qenë,  gjilponë ingishte, grep edhe kurrgjo qeter.

Këtu në dyqan shoh tezgjahun e keni?

Tezgjuhin e kemi 25 santin(cm) i trashë prej arrës.  70 santin gjon oshtë.

Sa është i vjetër ky tezgjah?

Po… i ka nja 150 vjet e ma tepër.

Do të thotë në këtë tezgjah ka punuar edhe babagjyshi juaj?

Edhe babgjyshi im.

Tjetër prej veglave të punës çfarë kanë pasur terzitë e moçëm?

Terzit e moqem kanë pas itija me komë. Me e nxe en axhak e mi i ra me komë iti. Përmi asej,  drrasen ja vnojshin,  ni copë drrasë e pështatshme per me i ra iti.Tuj e  ranu,  me e rrafshu punën.

Po makinat e qepjes?

Makinat e qepjes  i kanë  pru kah viti 1910  . Babgjyshi e ka pru ni maqinë që i kane thonë “maqinë brekocë”.

Po, natën  kanë punu me gaz?

Vonë ka ardh edhe gazi. Në kët dyqan  kanë kep12 vetë me  nii qiri. Gazin e ka pru ma spari babgjyshi im, Sylejmoni i Hagjiavdylit. Nuk e di saktësisht , veç kah viti… para 1900- shit…

Çka kanë punuar terzitë e vjetër,  cilat prodhime?

Terzitë e vjetër kanë punu mintona për burra, jeleka edhe fermene, kaparona, dallama, gjybe. Edhe për femna kanë punu,  për qito edhe komzat e dimive edhe shumë sene tjera kanë prodhu.  Edhe shumë  kanë pas kujdes me e bo mallin sa ma sagllam(origjinal),  sa ma t’mirë ma kfalitet(cilësorë). Aq kujdes i madh u kon qi veq qashtu mo, veq qashtu mo. E jo me e bo punën shkel e shko,  e mos ja vno veshin, hajt “veç merrja paret e rrsho”, po me kujdes t’madh. Se qai qe ka shku,  osht anku en oden e zejtarve, n’esnafë,  ai terzi shumë masa ka marrë. Janë marrë masa kundrra atij shitsit ose punusit qe e  ka shit  mallin e keq. Pse me ja keqpërdor,  pse me ja bo kshtu, deri n’funt ka bo vaki qe u desht me ja pagu edhe mallin qe e ka pru mi kep ose  me ja kthy edhe paret,  se i thojshin: “s’ja ki bo mirë” … Edhe unë e kom përjetu ato.

Terzitë e Gjakovës ishin të organizuar në Esnafin e vet,  e kryetari i parë i Esnafit të terzive ishte Sylejman Hagjiavdyli , ndërsa të tjerët që erdhën pas tij, kush janë?

Mas tine ka qenë Latif Luzha.  Edhe Luzhat kanë punu  zanatin rrobaqeps terzi e man n’funt, mas atine ka ardhë si krtyetar i esnafit shumë vjet,  qi e di una,  Murat Doblibara, Ai kpuctarë u kon por e kanë zgedh esnafi si kryetar të Terzive.

SI I PAJTUAN TERZITË E GJAKOVËS DIBRËN DHE MATIN PAS ARMIQËSIVE TË MËDHA

Cili ishte roli i Esnafit të terezive të Gjakovës?

Kur kish naj mos marrëveshje n’mes ndokujne, merrshin pjesë e i pajtojshin, n‘kryet me Hafiz Idrizin, Qukin e Mehmet Dushmanit, Shuqiri Bicurri, Tahir Aga i Bakallit, edhe shumë tjerë prej qytetit.

E esnafi i zanatit  rrrobaqepsave – terzive ka pas një rondësi shumë t’madhe. Ka lujt rrol shum t’madhë, saqi kur ka pas mos marrëveshje n’mes t’popullit,  ktu n’Gjakovë,  ata janë shku,  i kanë hi mrena edhe i kanë pajtu, qashtu edhe mes njerzive për çdo rast…

Edhe nji rast… Kish pas qenë ni konflikt n’mes të Dibrës edhe Matit,  kurse kanë marr vesh esnafi i Gjakovës , janë shku 12 prej Gjakovës,  esnafi n’kry me kryetarin e esnafit që ka qenë Sulejmoni Hagjiavdylit, edhe i kanë pajtu,  edhe i kanë miqasu  qito dy krahina,  kshtu qi ka qenë ni punë e madhe gjatë kohës sa ka vazhdu Esnafi.

Pikërisht pajtimi në mes këtyre dy krahinave Matit dhe Dibrës ka rrjedhur nga dyqani juaj.?

Po,  ka ardh me marr tesha për nuse ktu djali i bajraktarit t’Lumes edhe n’bisedë tu i prit teshat për me i marr thotë: Shkun dom dy krahina si Dibra me Mat,  qashtu jon vra ka dy – tre qind njoni me tjetrin…Ky lajm i ka trondit zanatlitë e Gjakovës. T’ nesrit osht bo biseda,  i kanë lajmru edhe i  thonë: “Boni selom bajraktarit t’ Lumes, se ne e marrim edhe bajraktarin e Hasit edhe 12 prej Gjakovës,  dojm me shku mi ju hi mrena  si Dibres edhe Matit edhe me i pajtu edhe mi miqasu ner me veti” Këto kemi mi arrit tu i dhon ka 10 vajza,  si njona Krahinë,  si tjetra,  e  mu miqasu,  me u pajtu  dhe niherë e përgjithmonë m’i dhonë fund ati konflikt qe ish konë.

A ja kanë arritur?

Edhe ja kanë mërri qëllimit. “Ju,  thonë atje në Shipni,  që  kini ardh për nder e për me bo ket punë,  na s’kemi shka me thonë. Vetëm krykput boni qysh doni ju”. Edhe ju kanë lonë, e kta qasi far vendimi kanë pru qi ham mi pajtu edhe me i miqasu. Prej familjeve t’mira dy anët m’i miqasu.

Kjo do të thotë se Esnafi i terzive të Gjakovës ka qenë aq i fortë..

Ka lujt ni rrol shumë t’madhë në të gjitha onët.

Sa që edhe ka pajtuar gjaqe edhe ka organizuar jetën shoqërore në qytet apo?

Qashtu osht!

Sigurisht se ke dëgjuar përmes babait po edhe gjyshit i cili ka qenë kryetari i parë i Esnafit të terzive, sa dyqane të terezive,  të rrobaqepësve, kanë qenë në Gjakovë?

Të terezive?! Të rrobaqepësve…!  Ka pas mase 200 dyqane. Jon konë të bashkangjitun edhe zhgunagjitë qi kanë kep rrobe t’zhgunit,  rrobe t’vjetra. E kta terzitë jonë konë,  si familje qi kanë punu me t’madhe: Lluhansit,  masanej Tahir Lilat, Komont, na Haxhiavdylt,

t’ Aliages,  masanejne jen konë Ollont,  edhe shumë familje tjera qe kanë punu me shumicë. 

Si kanë qenë kushtet e punës në atë kohë, flasim me shekuj?

Kushtet e punës jen konë shumë vshtira. Kur ka hi kallf ose shygyrt ma spari en dyqanin tonë,  Sylejmonit Haxhiavdylit,  kanë punu  40 vjet, 50 vjet qi i di edhe unë disa qe kanë punu kah 40 vjet, kah 45vjet!

 

Dyqani juaj ku po zhvillojmë këtë bisedë është në dy kate apo?

Po!

Sa punëtorë kanë punuar këtu?

25 punëtorë kanë punu vazhdimisht. Gjithnji, 12 poshtë, 13 nelt, Mjeshtri,  babgjyshi ka qenë 13 poshtë, 13 nelt,  kshtu qi kanë punu vazhdimisht 25 puntorë,  edhe ata jonë martu edhe kanë punu edhe kanë  rrnu prej qiti dyqanit. Terzitë e Gjakoves kanë punu me kto, kanë punu me kutni,  kanë punu me kadife, kanë punu me ari, kanë punu me gojton,  me gojtone edhe t’mnafshta edhe t’arit,  kshtu qi edhe t’leshta ka pasë raste edhe me t’leshta qi kanë punu e deri vonë kanë punu me ibrishim, me pe t’mnafsht. Vonë ka dal peni.

Ku e kanë marrë lëndën e parë ?

Landen e parë ma përpara e kanë marr en Serez, para se mu bo qyteti i Selanikit mu bo qytet i tregtisë, n’Selanik , n’Shkodër, n’Stamoll, en Bejrut edhe kështu nëpër vende të ndryshme.

Ke dëgjuar si kanë arritur deri te  malli ta zëmi në Greqi edhe në viset tjera?

Kanë marr edhe prej nji fabrikës Leisenburg en Gjermoni, arin për me punu zanatin e ato e kanë dredh te Kazaztë,  edhe kështu qe e kanë punu edhe me ari edhe me gojtona,  me tehrija t’mnashta t’arit. Lloj lloj pune kanë bo.

 

Kjo do te thotë se rruga deri te sigurimi i lendes së parë ka qenë mjaft e gjatë për Terzitë Gjakovës.

Poo…

Kanë shkuar këmbë me kolona, si kanë shkuar?

Kanë shku n’ komë,  me bujë t’Haxhi Homëz Zukes kanë shku. Kanë shku dej n’Sarez e dej n’Stamoll e gjithmonë edhe shumë tjerë qi kanë qenë qiragji kanë punu me kual edhe me bujë me kije. Me ato mjete qysh janë konë,  shumë t’vjetër me kerr e me rrotë t’drunit.

 

Çka keni qepë?

Kanë qenë rroba si për mashqi edhe per femna. Për femna,  për mu martu,  kanë ardh e i kanë porositë 6 muj përpara teshat për me pas kohë e me ju bo hazer,  se krejt janë kep me dorë.

Cila ka qenë detyra e Esnafit te Terzive?

Detyra e Esnafit të Terzive ka qenë me punu,  me u furnizu me mallë edhe kanë punu shumë punë, ku u konë nevoja kanë punu punë vullnetare edhe me t’holla kanë investu edhe vet Esnafi i Terzive si e kanë maru Urën e Terzive edhe kur u prish jen shku e kane maru, Axha jam ka thonë: “Jam kon e kom punu vet nën ndërtimin e Ures Terzive edhe en Uren e Tabakit, sepse Esnafet i kanë ndihmu njona tjetrës”.

E për ndërtimin e Urës së Terzive,  të cilën e kanë ndërtuar terzitë e Gjakovës, keni dëgjuar diçka, Ç’mund të na thoni?

Kemi ndigju qe prej fillimit e kanë fillu e kanë maru ato t’re edhe ku oshtë rreu,  se osht e rrxu shpesh, janë shku përsëri e kanë ndërtua apet sikur u kon .

Si ju ka përgjigjur populli ftesës së terzive për aksione të këtilla të ndërtimit Urës së Terzive po edhe punëve të tjera në qytet?

Kur ka bo nevoja për kësi aksionesh ka ra tupani nepër pazar e telalli ka thirrë. Ka thonë “ Neser marrim aksionin për me shku me punu en Urë Terzive ose en Urë Tabakit ose ku u konë nevoja”…  Jan shku gjithë.  Esnafi kanë punu e kanë maru,  e kanë kry at punë.

Do të thotë ka ekzistuar një bashkëpunim në mes të Esnafit të Terzive të Tabakëve deh gjithë esnafeve.

Të gjithë esnafet qe jen konë,  kanë bashkëpunua bashkë.

Dikur më vonë edhe kanë bashkëpunuar apo?

Po,  edhe janë bashku ma n’funt të gjitha esnafet, se terzi ka pas shumë,  kazaz ka pas shumë, këpucëtar,  saraç,  ka pas shumë edhe tabak,  ka pas shumë. Se këto janë konë zejet e Gjakovës qi e kanë furnizu çdo van en krahinë e jashtë krahinës,  edhe en Malsi t’Gjakoves,   n’Malsi t’Shkodres,  n’Diber deri n’Mat. Zejet e Gjakoves jan kon shumë të kërkume dhe  kanë shku, jan shitë. Kurse Kazazët kanë qu e kanë shit n’Bosnje, Serbi, Maqedoni dhe  n’marë vendet, deri n’Bullgari kanë shku,  kanë shitë.

 

Zejen e të parëve të tu e ke vazhduar edhe ti deri në ditët e sotme, keni punë këto vitet e fundit apo ka rënë puna?

Ka ra shumë se ham po lihen edhe jon bo fabrika shumë. Po ka shitore shumë,  edhe kështu qi nuk po ka punë, jashta kur vjen najkush me porositë për qef… se nuk ka punë vallha.

Si po arrini ju në moshën kaq të shtyre të punoni me këtë makinë?

Paj.. nevoja… Po duhet domosdo… Po duhet me punu.

Baca Sulejman, të falënderojmë për këtë bisedë.

Falemineres edhe prej jush qe u interesut për zejen e terzive…

Çka të themi në fund të këtij shkrimi?!  Terezitë e Gjakovës do të mbeten të shënuar përgjithmonë si grup i organizuar dhe nismëtarë të zejtarisë që familjeve të kësaj ane që u sillte ekzistencën po njëkohësisht edhe nismëtarë të zhvillimit te industrisë së prodhimeve të qepjes së rrobave.