Monday, April 1, 2024
Gjakova Presss

Zejet që po humbin: Kallajxhitë e Gjakovës

Shkëputur nga numri më i ri i Revistes Gjakovapress 141-online

Realizuar në Gjakovë, Gusht 2012

Alush Lala është 80 vjeçar dhe në këtë moshë sillet rreth punëtorisë së tij me zanatin që po e kalon jetën që nga fëmijëria. Tash nuk bënë punë të rënda. Mjaftojnë këshillat për djalin e tij Shkelzenin (53 vjeçar) që po e vazhdon traditën e kallajxhisë, për ti bërë punët ashtu siç duhet dhe për të marrë uratën e qytetarëve “Ju lumshin duart”…

Ditën kur e vizituam nuk u hamend fare ti “përvjel mëngët dhe të na demonstrojë” zejen e dashur për të. Djersët e vala nga flaka e farkës nuk e pengonin, sepse me të tilla kushte ishte mësuar për më shumë se 70 vjet. Sot, ai flet me admirim për këtë zeje, por me një nostalgji prekëse fletë për gumëzhimën e Çarshisë së Vjetër të Gjakovës dhe bukurinë që kishte ajo me shumë zeje, mes të cilave edhe zejen e vet të dashur, të kallajxhisë.

Gjatë bisedës me të mësojmë se në moshën 15 vjeçare ka filluar të merret  me këtë zeje. Babai i vet ka mësuar nga ustah Tefiku i cili kishte ardh nga Turqia. Kanë qenë pesë vëllezër. I vetmi është Alushi i cili e ka trashëgua këtë zanat. Në anën tjetër vet mjeshtri Alush, ka katër djem, por i vetmi djalë i cili ende merret me këtë zeje është Shkelzeni, i cili tash e vazhdon këtë zeje pasi i ati në këtë moshë ndjehet ca i lodhur. Punëtorinë e kanë në shtëpinë e tyre në bllokun e ri të qytetit.

Ai thotë se mjeshtëria e zejes qëndron në realizimin me sukses të procesit të punës, duke filluar nga zgjedhja e materialit: llamarinës, dhënies së formës së produktit e deri tek kallajisja me kallaj. Lënda e parë- llamarina është siguruar nga Maqedonia ndërsa kallaji nga Italia e Turqia, tash edhe nga Shqipëria.

Në hyrje të Çarshisë së Vjetër të Gjakovës, kah Ura e Islam Begut, në krahun e djathtë, para disa dekadave kanë qenë të renditur dyqanet e kallajxhive të Gjakovës. Enët e domosdoshme për ushqim dhe përdorim tjetër të familjeve kanë qenë të punuara nga kallajxhitë.

Produktet të cilat janë punuar dhe disa nga to ende vazhdojnë ti prodhojnë kazanxhinjtë dhe kallajxhitë janë: xhezve për kafe, kazanë për zierje të mishit, kusia, tepsia, tava për reçel, tava hajvari, kazanë të rakisë, tabakët prej bakri e tj. 

Mes atyre dyqaneve, para më shumë se 40 vjetëve ka qenë edhe dyqani i familjes Alush Lala nga Gjakova i cili bashkë me djalin e tij Shkelzenin, që është brezi katërt i familjes që punon këtë zeje, punon, por tash jo në atë dyqan, por në punëtorinë e tij në shtëpi. Babai i vet ka qenë Jakup Lala i vetmi që është marr me prodhimin e kazanëve. 

Mjeshtëria e zejes qëndron në realizimin me sukses të procesit të punës, duke filluar nga zgjedhja e materialit: llamarinës, dhënies së formës së produktit e deri tek kallajisja me kallaj. Lënda e parë- llamarina është siguruar nga Maqedonia ndërsa kallaji nga Italia e Turqia, tash edhe nga Shqipëria.

Usta Alushi thotë se kallajxhitë e Gjakovës kanë punuar produkte sipas kërkesë së tregut.

”Ka qenë karakteristikë se janë punuar për tregun e Ulqinit, komplet produkte të kallajxhive që i janë dërguar për Pajë të Nuses. Këtu hyjnë: Një bakall (gjygym) i vogël, një i madh dhe një enë-legenë që ka qenë traditë e riteve të dasmave në qytetin e Ulqinit” thotë plaku.

Aktualisht bëhen vetëm shërbime të kallajisjes së enëve të vjetra që ende shërbejnë për nevojat e familjeve por edhe për ti ruajtur si dekore.

Punëtoria e kallajxhisë përbëhet prej farkës së zjarrit ku nxehen enët për të vazhduar me punët tjera, pastaj kullat e formave të ndryshme të dimensioneve të ndryshme (sank), varësisht nga madhësia e produktit, çekiçët e metalit dhe të drurit, danat, shpojëset etj.

Kallajisja e enëve të vjetra tash është shërbimi I vetëm sikurse edhe punimi i kazanëve të rakisë. Ndërkaq vet procesin e kallajisjes e shpjegon Shkelzeni:

“Faza e parë është pastrimi i enëve me acide dhe ujëra. Faza e dytë është kallajisja e enës: Hidhet në flakë të nxehtë, i shtohet përbërja: nishadër-  kallaj dhe zink si dhe metale të tjera. Procesi zgjat shumë pak nëse ena është e pastër. Kallaji bëhet pluhur me makina speciale pasi që është më lehtë të punohet. Kur produkti kallajiset garancioni për të është 5 vite” thotë Shkelzeni.

Ndërkaq mjeshtri Alush shpjegon procesin e punës për ti dhënë dizajnin enëve të kallajisura.

“Dekorimet bëhen në këtë mënyrë: së pari lahet ena, ngjyrosen, edhe më pas dekorimi bëhet me anë të çekiçit, ku shpohet ena dhe më pas epen forma të ndryshme dekori” thotë ai.

Të dy bashkëbiseduesit thonë se zeja është e rrezikuar të zhduket me aplikimin e teknologjisë moderne.

“Mendojmë se kjo është punëtoria e vetme në Gjakovë që punon shërbime të kallajisjes së tepsive, kusive dhe produkteve tjera dhe e vetmja punëtori, në Kosovë ku prodhohen dhe riparohen kazanë të rakisë”, thotë Shkelzeni duke shtuar se Kallajxhitë i kanë ruajtur produktet e vjetra që janë prodhuar para shumë dekadash edhe nga paraardhësit e tyre.

Është ndër zejet e vjetra që paraqet një mjeshtri të zejtarëve që u kanë shërbyer të tjerëve për punët e fushës, përditshmërisë dhe të ekzistencës. Është gërshetim i punës zejtare dhe artistike, sepse ka të bëjë me dizajnin e produkteve ku del sheshit talenti për artin. Puna e tyre me këtë zeje, njëkohësisht paraqet edhe një burim ekzistence për familjen.

”Edhepse nuk ka punë si dikur, me këtë që bëjmë tash mundohemi të sigurojmë ekzistencën familjes, siç e kishin siguruar të parët tanë” thotë Shkëlzeni.

Largohemi nga punëtoria e vetme e kallajxhisë në Gjakovë dhe nga zejtari  Alush Lala, për tu kthyer edhe herave tjera, sepse bisedat për këtë zeje janë akoma më të gjata dhe ia vlenë t’ju përcjellim brezave të rinj duke e konsideruar këtë artizanat si pjesë të trashëgimisë kulturore të popullit të kësaj treve.

                          (z.vehapi, foto: Sh.Rexha)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *