Lamtumirë, prof dr. Masar Rizvanolli!
Njerëzit e mëdhenj, anipse modest në jetë, anipse përkujdesjen për vete e lënë në plan të fundit, lënë pas vete vepra të mëdha. I tillë ishte prof.dr. Masar Rizvanolli, I cili të martën, 26 Maj.2020, u përcoll me një ceremoni modeste mortore(për shkak të masave kundër Covid 19), në banesen e tij të fundit. U thanë shumë fjalë, respekti e nderimi për të. Fjalët për veprat që ai ka lënë pas nga historiografia shqiptare e në vecanti ajo e Gjakovës që aq shumë e deshi, kurrë nuk do të sosen. I tillë ishte Ai.
Kam pasur fatin ta njoh për disa dekada e të bashkëpunoi me të në realizimin e shumë emisioneve dokumentare në Radio Gjakova dhe fejtoneve në Revistën Gjakovapress. Prof. Masari ishte iniciator dhe realizator i shumë emisioneve dokumentare për të kaluarën e Gjakovës. Nga ai mësova se si duhet punuar me përkushtim për të nxjerrë në dritë historinë e lavdishme të popullit të Gjakovës. Ai ishte enciklopedi në vete. Dinte ngjarjet, datat , personazhet… Nxirrte në pah figurat e dëshmorëve e heronjve gjakovarë. Ai fliste me kënaqësi për rrënjët e Gjakovës, për qytetin e dijes, kulturës, artit, zejeve, për Çarshinë më të madhe të Ballkanit, për rolin e Esnafeve që ndërtonin ura e zhvillonin qytetin, fliste për madhështinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për rolin e degës në Gjakovë, për rolin e komandantit madhështor Sulejman Vokshi deri te Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për dëshmorët dhe heronjtë e ditëve të sotme…
Prof, Masari këmbëngulte që Gjakovës duhet ti kthehet projekti i shumë muzeve që meritonte ti ketë qyteti i tij i lindjes. Kishte dëshirë që Gjakova ta kishte monografinë e vet. Këmbëngulte për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore e historike…
Kur e nxori për lexuesit librin “Çarshia e madhe e Gjakovës” qytetit ia dhuroi një vepër të rëndësishme, neve lexuesve na dha në pasqyrë të kompletuar të qindra zejeve e zejtarëve gjakovarë që punuan me zell zejet e veta. Ai një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Çarshi. Kur mbaroi Lufta e Kosovës, erdhi në ditët e para të lirisë, në Radio dhe më rrëfeu si e kishte përjetuar rëndë djegien e Çarshisë e në veçanti djegien e Bibliotekës së Xhamisë së Hadumit, për të cilën thoshte se ishte shumë e pasur. Aty ishte historia e Gjakovës…
Mosha e shtyer nuk e pengonte që të punonte me zell. Kishte energji, vullnet dhe dëshirë për punë dhe projekte të reja. Çdo takim me të ishte një ide e re, një kërkesë e re pune, një emision i ri në Radio, një fejton në Gjakovapress për arsimin, trashëgiminë, për figurat e shquara kombëtare të Gjakovës. I kuptonte sfidat me të cilat përballesha me botimin e Revistës mujore Gjakovapress. Më jepte këshilla dhe më inkurajonte që përkundër vështirësive, revista duhet botohet sepse është kronikë e Gjakovës dhe ka rëndësi tejet të madhe kulturore e historike…
Ai kishte iniciuar shumë projekte madhore. Ishte ndër iniciatorët e hapjes së të parës shkollë të lartë në ish Jugosllavi, në gjuhën shqipe- SHLP Bajram Curri. Iniciator për hapjen e grupit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, këmbënguli deri në fund për hapjen e Universitetit të Gjakovës….Bëri shumë punë të mëdha me Shoqatën e Intelektualëve Jakova.
Shumë vepra la pas, prof. Rizvanolli por ishte shumë modest. Kur ia botoja shkrimet e tij autoriale nuk i bënin përshtypjet titujt shkencor… Më thoshte shkruaje vetëm Masar Rizvanolli… Shumë vjet i kam kërkuar që të flasim për arritjet e tij dhe nuk kishte dëshirë. Shkurt thoshte: Ka kohë!! Mezi vitin e kaluar ia kam mbushur mendjen të flasë për veten. Ai e meriton të flasë gjithnjë. E tash kur nuk është mes nesh, do të flasin veprat e shumta të atdhedashurisë që e karakterizonin prof. Dr. Masar Rizvanollin…
Faleminderit profesor, për gjitha veprat , për gjithçka që më këshillove, inkurajove të mos ndalem në punë, e më mësove për obligimet që kemi ndaj brezave të ardhëshëm, për t iu prezantuar, Gjakovën famëmadhe, Kosovën e dashur dhe shqiptarinë përgjithësisht.
Lamtumirë prof dr. Masar Rizvanolli
Zeki Vehapi