Ekziston një legjendë që ka të bëjë me emrin e para më shumë se pesë shekujve të Gjakovës, që quhej Jakova.
Sipas një gojëdhëne thuhet se fillet e Gjakovës së sotme u vunë në mesjetë aty rreth shekujve XIV-XV, kur Hadum Aga, një njeri me ndikim, vendos që të ndërtojë një xhami në mes dy vendbanimeve që ekzistonin në këtë qytet; Mëhallës së Gërçarëve dhe Mëhallës së Gecës.
Pronari i tokës ku ai dëshironte të ndërtonte xhaminë ishte Jak Vula, pinjoll i një prej familjeve më të vjetra të qytetit, që natyrisht i takonte besimit të krishterë. Ky i fundit, pasi dëgjoi kërkesën e Hadum Agës, iu përgjigj duke thënë se do ti shiste aq tokë sa zinte sipërfaqja e lëkurës së rjepur të një bualli. Hadum Aga u mendua gjatë se si t’ia bënte dhe në fund gjeti një zgjidhje. Ai theri një buall, ia rjepi lëkurën dhe pastaj këtë lëkurë e preu në shirit të hollë rrethor. Kur ky shirit u shtri, ai zuri një sipërfaqe mëse të mjaftueshme të tokës për të ndërtuar një xhami. Jak Vulaj, si njeri i fjalës që ishte, vendosi që të respektonte fjalën e dhënë por, edhe mençurinë e Hadum Agës dhe ia shiti tokën siç i kishte premtuar.
Në fillim, rreth xhamisë u ndërtua hani, hamami e pastaj edhe dyçanet zejtare prej nga nisi të shtrihej qyteti.
Kjo është gojëdhëna dhe nuk ka të dhëna të sakta që mund ta vërtetojnë apo mohojnë atë.
Në mbarim të shekullit XVI, konkretisht në vitin 1594/95, Hadum Sylejman Efendia-Hadum Aga ndërtoi xhaminë, e cila po ashtu edhe mban emrin e donatorit-financuesit të objektit në Gjakovë. Xhamia, sipas traditës, u ndërtua në fushën e Jak Vulës, prej nga edhe do të bëhej emërtimi i qytetit – Jakovë.