Gjakovapress

Muzika dhe tradita gjakovare mrekulluan Shkupin

Shkruan: Krenar DOLI Instituti Albanologjik, Prishtinë

 Rreth aktivitetit ‘’Sofra Gjakovare’’ organizuar nga gjakovarët që jetojnë dhe veprojnë në qytetin e Shkupit.

 sofra shkup 1Duhet të konsiderohet një aksion me shumë vlera organizimi në ditët e sotme i një aktiviteti me përmasa të tilla siç ishte ‘’Sofra gjakovare ‘’ e organizuar në mënyrën më dinjitoze  nga shoqata kulturo-artistike ‘’Sofra Gjakovare’’ e cila udhëhiqet nga intelektuali  i palodhur z. Baki Maliqi. Nata e 26 nëntorit 2013  me kompetencë themi se synimin kryesor  kishte njohjen dhe rikthimin e vlerave të kaluara me kërkesat aktuale të dëgjuesit për  këngën gjakovare ngase siç dihet kënga është gjinia më e afërt e cila në mënyrë më të shpejt i përgjigjet pasqyrimit të jetës, ngjarjeve, ndaj ajo mund të quhet repërkosunuesja më e shpejtë e pasqyrimit të jetës në gjithë kompleksitetin e vlimit të saj në një vepër arti.

Rikthimi i një pjese të mirë të këtyre këngëve gjakovare nga këngëtarët tashmë të mirënjohur Edi & Fatos Furra përcjellur mjeshtërisht nga orkestra muzikore ‘’Lirikët’’ krijuan një atraksion të vërtetë përmes një aksioni të rikthimit në kohë të  këngëve më të bukura të traditës muzikore gjakovare  që konsideroj se e kishte të mirën e vet e që  ishte në shërbim të krijimtarisë së kësaj gjinie,  gjë që atë natë nëntori  i solli publikut artdashës një retrospektiv të shkëlqyer sa që e detyroi audiencën ta rivlerësoj opusin e thellë të asaj krijimtarie të begat që qytetit të Gjakovës nuk i ka munguar e që publiku atë natë e mirëpriti si kurdoherë tjetër.

Poashtu audienca e asaj nate vlerësoi së tepërmi origjinalitetin krijues të këtyre këngëve, vlerësoi logjikën e strukturës së tyre, këngët që u dëgjuan u përgjigjen plotësisht kërkesave dhe ligjeve të këngës, ato të gjitha ishin të ndërtuara nga një melodi që transmetonte masës individualitetin krijues të kompozitorit, gjithashtu edhe frazimi i melodisë bëri që ato të transmetojnë një mendim, një emocion, bënë që të justifikohej plotësisht melodia e cila është shumë e këndueshme, frazimi përmes shkallëve ngjitëse, kulminacioni që gjendet tek refreni,  ritmin shumë kërcues e plastik si dhe një valë dhe një tekst shumë domethënës, shumë kuptimplotë që rikthen tek artdashësi kujtimet e së kaluarës përmes një romantike shumë të ndjerë.

Këngët gjakovare atë natë ishin të radhitura me aq fines sa që përpara nesh lartësoheshin emrat e muziktarëve të rëndësishëm të kohës ( Hamëz Kovaçit, Kolë Qorrit, Ymer Rizës, Qamilit të Vogël , Mazllom Mejzini) e deri tek më të rinjtë, përfaqësuesit e brezit të sotëm, të cilët edhe po mbajnë gjallë traditën e muzikës autentike gjakovare. Janë po këto krijime e interpretime të konkretizuara me vepra dhe autorë që kanë bërë epokë, që konsiderohen tashmë stacione qendrore në udhëtimin historik të artit dhe muzikës gjakovare. Duhet cekur se përveç grupit muzikor nikoqir[1] aktivitetin  kulturo- artistik ‘’Sofra Gjakovare’’ e nderuan me praninë e tyre edhe doajeni i muzikës popullore qytetare  Ismet Peja si dhe trupa artistike e qytetit të Shkodrës e cila demonstroi momentet më kulmore që lidhen me ceremonialin e dasmës në qytetin e Shkodrës.

Dhe në fund atë që do të doja ta theksoja është se atë që nuk e bëri dot Gjakova deri sot e bënë disa gjakovar që jetojnë dhe veprojnë në Shkup, aty u mblodhën njerëz nga të katër anët dhe e kujtuan atë vatër kulturore për të cilën vetë qeveria lokale e qytetit të Gjakovës nuk u kujtua, kjo është për të ardhur keq. Të shpresojmë se nga kjo iniciativë e organizuar në Shkup të merret mësim e mos ti lëmë në të ardhmen këto tradita muzikore që i ka Gjakova ti mbuloj pluhuri i harresës.



 

Exit mobile version