Emri i atdhetarit, mësuesit të madh. NIMAN FERIZI, është guri kryesor i themelit kryesor të shkollës së parë shqipe. Ai i priu grupit të mësuesve atdhetarë dhe në shtëpinë e tij u mor ky vendim jetik. Synimet ishin :
1)Pajisja e nxënësve me njohuri fushash të ndryshme dhe
2)Formimi i njeriut atdhedashës krahas idealeve të rilindësve.
MËSUESI I POPULLIT, atdhetari i shquar, NIMAN FERIZI (u lind më 1892 në Gjakovë)në krye të grupit të gjakovarëve- mësues atdhetarë- filluan punën e madhe; edukimin dhe arsimimin e fëmijëve: (BABA)QAZIM BAKALLI, FERID IMAMI, SALIH MORINA, IBRAHIM FEHMIU, IBRAHIM KOLÇI, ISUF PUKA, OSMAN SHAQIRI(ose Shaqa), MURAT MUHAGJIRI , MUHARREM DOMI, LATIF SHAQIRI, BEQIR ÇUKA-POZHEGU dhe shkodrani NDOC NIKAJ.
Këta atdhetarë synonin të arrinin qëllimet që shkolla t’i përmbushte normat e një institucioni pedagogjik në frymë demokratike, patriotike ,edukativo- arsimore. Hartimi i plan programeve dhe realizimi i tyre me punën përkushtuese të këtij trupi arsimor , si një organizëm monolit , nuk ngelën pas atyre evropiane. Gjakovarët s’e prisnin i pari të dytin për t’i shpënë fëmijët në shkollë. Përfshirja qe masive, pa dallim feje. Nga “MSOJTORJA E QYTETIT GJAKOVËS”në fillim shkolla e parë shqipe u vendos në ndërtesën “Mejtep Ruzhdijës” dhe u pagëzua me emrin “SKËNDERBEG”. Pas ardhjes së ushtrisë austro-hungareze, zyrtarisht fitoi statusin e vet ligjor, formuloi vulën dhe drejtorinë. Drejtor u emërua Zef Duka nga Zara. Zelli dhe vigjilenca e trupit arsimor nuk munguan për t’u bërë ballë pushtuesve bullgarë. Bashkia e qytetit formoi një “aradhe policore”për të ruajtur rendin e shkollës. Austro- hungarezët bënë çmos që shkolla të mbetej katërklasëshe. Edhepse inspektorët e pranuan se shkolla i plotësonte të gjitha kushtet , eprorë e komandantë atë nuk e shihnin me sy të mirë.
Cikli i ulët zhvillonte mësimin klasor dhe cikli i lartë mësim lëndor. Viti i parë shkollor 1915-16, në muajt e parë kishte 50-60 nxënës, por shumë shpejt arriti në 350 nxënës. Për herë të parë në këtë qytet u vu në jetë alfabeti shqip dhe u dëgjua fjala e ëmbël shqipe. Qytetarët , të emocionuar, flisnin për gëzimin e madh: “Më pyet në do i verbëri sy?!”…
Më 1918, numri i nxënësve arriti në 1200. Brenda këtyre viteve puna e mësuesve –atdhetarë qe e bujshme , e palodhshme , sepse ata themeluan shkolla shqipe , kurse përgatitore në Pejë, Mitrovicë, Gjurakoc, Vushtri, Zllakuqan, Strellc dhe në Dushkajë të Gjakovës.
Dymbëdhjetë mësuesit iu shtruan punës me zell e dashuri, si atdhetarë që ishin .Ata çanë errësirën e analfabetizmit dhe ftuan prindërit gjakovarë që t’i nxirrnin nga terri shekullor edhe bijat e tyre. Gjakovarët iu përgjigjen thirrjes, në fillim u regjistruan 15 vajza. Nuk shkoi shumë dhe numri u rrit në 30 nxënëse. Paralelja e vajzave , e njohur në popull si “Shkolla e çikave”, u vendos në një shtëpi private. Mësues ishin: EMINE SHEHDULA-GJAKOVA(e shoqja e atdhetarit DEMUSH TAHA-GJAKOVA, nëna e Shqipe dhe Agim Gjakovës) dhe DOMENIKE E JOZEF NDOCAJ.
Mësuesi i popullit ,Niman Ferizi bashkë me mësuesit-ujet e diturisë e “Skënderbeut”çanë errësirën e analfabetizmit dhe ngritën kurse edhe për të rritur, duke përfshirë moshat 18 deri 40 vjeç.
Tekstet në gjuhën shqipe nga atdhetarët shtypeshin në qendra evropiane, më shumë në Vjenë e Bukuresht.
MOTOJA E NIMAN FERIZIT
“Edukoni nxënësin me trimërinë e Teutës, heroizmin e Skënderbeut, guximin e burrit dhe heroizmin e Bajram Currit, që t’i shërbejë atdheut me përkushtim dhe devotshmëri”, ishte moto e Niman Ferizit.