Dikur këto shtylla peshën më të madhe i kanë pasur katër tela rryme, një strofull pëllumbi apo çerdhe dallëndysheje, ose në periferi çerdhe lejleku dhe vargun e zogjve nëpër telat e rrymës që i dekoronin ata. Shtyllat ndjeheshin të lumtura me zogjtë dhe cicërimën e tyre. As nuk ndjenin lodhje.
Po sot?
Njerëzit kanë ndryshuar e shtyllat jo! Janë rritur lagjet, janë ndarë vëllezërit dhe kanë ndërtuar shtëpi. Në oborret tona sa luadhe, sot janë dy tre shtëpi të reja. Të gjitha lidhje të reja elektrike drejtë në shtyllën e vjetër…Kanë lindur dhe shyqyr Zotit jemi bërë shtëpi të mëdha me kërkesa më të mëdha për energjinë elektrike. Por janë të njëjtat shtylla që i kanë parë babë e babagjysh… Shtyllat bartin tërë këtë peshë të telave e kabllove që varen në të…
Sikur shtyllat të kishin gojë e të flisnin, kushedi se çka do të thoshin…!
Posaçërisht tash në shekullin e ri atyre iu vu në shpinë edhe rrjeti kabllor telefonik, shumë sisteme interneti, shenja trafiku, letra të vdekurish, pllakate për shitje blerje, mbledhje, tubime….Mjafton një shikim drejtë shtyllave të këtilla si në foto, dhe gati sa të bënë të ndjehesh keq për mundin që kanë ato… Shyqyr që fjalët që kalojnë nëpër kabllot e internetit nuk kanë peshë, se do të bëhej kiameti. Shtylla mban lidhjet telefonike dhe të internetit, nëpër të cilat kalojnë mijëra biseda në minutë, herë me pare e herë me biber… Plus televizionet me programet krejt politike çdo ditë po na “qajnë” kokën. Plus serialet turke e spanjolle që po na bëjnë aktorë edhe neve qytetarëve duke i shikuar çdo ditë. Krejt lidhjet kalojnë nëpër shtyllën “multifunksionale”, demek për gjithçka!!!
Ku është shiu e bora, ngricat e vapa që rëndojnë mbi këta tela që peshojnë në shtylla?!. Ku janë goditjet e pamëshirshme të disa shoferëve me makinat e tyre! Ku janë goditjet me kokë të disave të hutuar nga përditshmëria që të habitur i godasin pahirë me kokë dhe yjet u sillen rreth kokës…
Ah, sikur të kishin gojë shtyllat do të pëlcisnin!