Edhe në këtë moshë të shtyer, këngëtari Ismet Peja mendon dhe jeton me këngën. Sot mbushi 83 vite të jetës dhe 65 vite të karrierës së tij muzikore. Për këtë ditëlindje, ai mori shumë urime nga miqtë, adhuruesit e këngës që u rriten me këngët e Ismet Pejës. Ai edhe tash, në këtë kohë të pandemisë me virusin Korona dhe izolimin, mendon për projekte të reja të muzikës që për synim kanë këngët e rinisë së tij, që siç thotë ai, kanë mbetur në harresë. Këtë e bënë për të mbetur gjithmonë të freskëta ndër breza si një trashëgimi me vlera për kulturën tonë.
Kënga është terapia më e mirë e shëndetit dhe shpirtit të tij që rrëzojë edhe shumë “tërmete” në shëndetin e tij në vitet e 90-ta. Edhe në atë kohë të hipertensionit, lutej që “Zëri të më mbetet i padëmtuar”. Me zërin e çiltër e kumbues ai i bëri këngët më të këndshme dhe gjithnjë të dashura. Rrugëtimi i këngëve të tija nisi që nga mosha 13-14 vjeçare nga odat e ngrohta të muzikës gjakovare , ndërsa familja e tij ishte e dhënë tërësisht pas muzikës. Për kaq shumë vite ai i mbeti besnik muzikës së mirëfilltë shqipe.
Si anëtarë i vyeshëm i shoqërisë muzikore “Hajdar Dushi” bashkë me anëtarët tjerë dhe orkestrinën, vazhdimisht ka punuar në kultivimin e melosit të mirëfilltë dhe se ka një repertor të pasur të këngëve qytetare, që janë mirëpritur kudo.
Shoqëria Muzikore “Hajdar Dushi” ishte prezantuese e muzikës shqipe që kultivohej në Kosovë dhe paraqiste identitetin e popullit shqiptarë në këtë trevë. Vlerat e larta artistike kanë bërë që këngët e interpretuara nga kjo shoqëri muzikore të bëhen pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë. Breza të tërë janë rritur e vazhdojnë edhe sot t’i kujtojnë me nostalgji këngët e interpretuara nga anëtarët e vyeshëm të kësaj shoqërie.
Ismet Peja duke vazhduar misionin e shoqërisë muzikore “Hajdar Dushi” ka deklaruar se, këngët e paharruara të Qamilit të Vogël, të shkruara në vargje e të botuara në libra, për të mbetur gjallë ndër breza, duhet të notizohen nga kompozitorët dhe të interpretohen nga solistët.
Sukseset në skenat muzikore, në koncerte, festivale e dasma tradicionale jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të ndryshme të botës, e kanë bërë Ismet Pejën mjaftë të admiruar për adhuruesit e melosit popullor, ndërkaq synimi i tij, për të interpretuar këngët e vjetra e për t’i ruajtur ato incizime si trashëgimi e çmuar e kësaj treve, është mirëpritur dhe përshëndetur nga publiku.
Urimi i Gjakovapress!
Ramazan Çeka ka shkruar tekstin e këngës “Zemrat peshë i qon zani jot”…… Do t” ia urojmë këtë ditëindje me këto vargje të këngës…
Një jet’ tanë për ne këndove
Këngë të vjetra e të reja
Kënga jote popullore
E ka emrin Ismet Peja
Në Kosovë e Shqipëri
E ku ka shqiptar ne Botë
Je legjendë e krenari
Zemrat peshë çon zani jot…