Shkruan: Prof. Ruzhdi SEFA
Me 13 Prill 2013 Gjakovë
Ka qenë rrjedha plot ngjarje në ditën e sotme (13.4.2013), që përcaktoi disponimin tim deri në këto orë të vona (23:55). Akademia kushtuar patriotit Xheladin Hana, pjesëmarrja në varrimin e vajzës së profesorit e intelektualit Masar Rizvanolli, njeriut që i dha aq shumë historiografisë kombëtare, ecja përskaj shtëpisë së Hajdar (Beg) Dushit, rruga e Çabratit dhe luftëtarët e UÇK këtu e 14 vite më parë.
Në varrezat e Gjakovës plot figura të njohura e të ndritura: artistë, poetë, arsimtarë e profesorë, ish të dënuar politikë, mjeke , patriot, udhëheqës të kalibrit të lartë ,….plot varrezat e pjesëmarrës në funeral! Gjakova dhe gjakovaret si figura qendrore të një vendi që po ribëhej në drejtime të panjohura, figura që udhëhoqën luftën e Dytë dhe luftëtarë të denjë edhe në luftën e fundit në Kosovë, që organizuan Konferencën e Bunjajt ku u vendos për bashkimin e Kosovës me “Nënën Shipni” si thuhet në rezolutën e Konferencës, njerëzve që benë pra Rezoluta, inxhinierëve që ngritën fabrika e ndërtuan impiante prodhimi, artistëve, njerëzve që arsimuan një Kosovë të tërën , njerëzve … u pleksen në mendimet e mija dhe para syve të mi!
Një rrugë e gjatë peripecish, arritjesh e humbjesh të një vendi e të një populli të tërë.
Këto ndjenja të përziera të mburrjes e krenarisë por edhe të gjendjes së këtyre viteve të pasluftës nuk janë pa shpjegime. Mendimi : Asgjë shumë mirë dhe asgjë shumë keq, por gjithçka njerëzore, gjithçka jetësore më tingëllon ngushëllues. Por jo! Në një postim në facebook SOT lexova edhe këtë : ”Sikur ta kisha një gisht të fortë me ia hapur sytë kësaj popullate” !
Me 14 Prill 1990-Gjakovë- 14 Prill 2013
Me 14 Prill 1990 u mbajt Kuvendi themelues i Degës së LDK në Gjakovë (shih fotot bashkëngjitur). Kuvendi u mbajt në Pallatin e Sporteve në prani të 3.500 qytetarëve.
E SOT ? Duhet zbritur me këmbë në tokë se bëhemi më të kthjellët: Gjendja është tepër brengosëse por jo e pashpresë ! Në tërë ato vite të aparteidit serb është punuar me një idealizëm e shpresë se vendi ynë do të hynte më shpejt në rrugën e gjerë të përparimit.
Ne bëmë aq sa mundem e ditëm: do të vijnë pas nesh fëmijët tanë dhe ata do të flasin për ne, për bëmat tona! Por, edhe dje edhe sot, me këtë tranzicion pa fund kërkimesh e sundimesh politike, qoftë djathtas apo majtas, duket aq e pakët drita në tunelin drejt së ardhmes, sa (athua vetëm disa !) as rrugën deri tek tuneli se gjejmë dot. Sa keq!
Po e përsëris: ”Sikur ta kisha një gisht të fortë me ia hapur sytë kësaj popullate” !