Mëngjesi i sotëm ka aguar me temperatura të ulëta dhe ngrica deri në minus 10 gradë celciuz, të cilat rrezikojnë kulturat bujqësore të mbjella në vjeshtë. Mirëpo, ekspertët e bujqësisë thonë se ajo pak sasi e borës që ra ditë më parë ka qenë me fat për fermerët sepse po shërben si mbrojtëse e bimës nga ngricat.
Në fakt këta dy muajt e fundit po kalojnë me temperatura të ndryshueshme që lëvizin nga acari, reshjet e shiut dhe borës e deri tek periudhat kohore me diell. Në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjakovë thonë se përkundër këtyre rrethanave klimatike gjendja e kulturave bujqësore është stabile dhe se sipas vlerësimeve të para nuk ka rrezik për to.
Në ndërkohë prodhuesit e grurit gjatë ditëve të shkuara kanë pasur mundësi të aplikojnë për subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë për grurin e mbjellë. Interesimi i fermerëve gjakovarë për të aplikuar për këto subvencione që sivjet janë për 25 % më të larta , nga viti në vit po shtohet.
Këtë herë kërkesë për të marrë 125 euro për një hektarë kanë konkurruar 500 prodhues të grurit.