Piktori i njohur shqiptar nga Malësia e Gjakovës, Nazmi Hoxha, i cili jeton dhe krijon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të hënën hapi një ekspozitë në Galerinë e Arteve në Gjakovë. Ceremonia e hapjes së ekspozitës me titull Ëndrrat brenda një ëndrre, e cila është një gërshetim emocionesh mes nostalgjive shqiptare dhe frymëzimeve amerikane, filloi me një minutë heshtje në nderim të piktorit akademik Tahir Emra.
Piktori, Nazmi Hoxha është i lindur në Tropojë të vjetër, studioj për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe më pas u emërua mësues në vendlindje. Pas rrëzimit të regjimit komunist ai punoi si piktor në Radio Televizionin shqiptar dhe nga 2008 jeton në Amerikë.
“Po e ndjejë thuajse kjo është ekspozita ime e parë” tha Hoxha mes emocionesh të shumta dhe i prekur nga lajmi për vdekjen e akademikut Tahir Emra të cilin një ditë më parë e kishte vizituar në Prishtinë.
Në jetën e tij artistike të piktorit Hoxha numërohen një seri ekspozitash nga vendlindja dhe shumë të tjera në Tiranë dhe në SHBA. Veprat e tij të shumta dhe të veçanta gjenden të përhapura në një hapësirë të gjerë studiosh, koleksionistësh, mjedisesh dhe familjesh artdashëse në Shqipëri, Kosovë dhe në SHBA.
Drejtoresha e Kultures Adea Roka Pylla dhe drejtuesi i pallatit të kultures Asim Vokshi, Kati Zhubi theksuan se piktori Nazmi Hoxha është mjeshtër i kompozimeve, i peizazheve, dhe i portreteve, të cilat të bëra bashkë sjellin një dëshmi të shkathtësisë dhe të thellësisë së tij si artist, pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti.
“Bota e artit humbi sot njërën prej vlerave më emblematike të kësaj sfere. Me dhimbje pranuam humbjen e akademik Tahir Emra, autorit të qindra pikturave e dhjetëra ekspozitave e laureatin e dhjetëra çmimeve, shpërblimeve e mirënjohjeve. Bota e Artit prej sot do të jetë më e varfër pa krijimtarinë e tij, por do të mbetet e fuqishme me veprën që akademik Emra e ka lënë pas” tha Gjini duke shprehur ngushëllime për familjen Emra dhe gjithë qytetarët e Gjakovës e Kosovës!