Këto ditë të fundit të muajit gusht janë mjaft intensive për bujqit e komunës së Gjakovës të cilët janë në vlugun e punëve për mbledhjen e bereqetit të mbjellur në pranverë, por edhe të përgatitjeve për mbjelljet vjeshtore. Dy ditë me shi kanë shërbyer për një pushim të shkurtër dhe padyshim të këndshëm për fermerët, për faktin se sasitë e reshjeve të shiut kanë qenë shumë të mirëseardhura për kulturat bujqësore, të cilat ishin të etura nga vapa e gushtit. Rreth një mijë hektarë sipërfaqe e mbjellur me perime këtyre ditëve është e gjallëruar nga fermerët të cilët, siç është tradita familjarisht janë të angazhuar nga mëngjesi e deri në mbrëmje në grumbullimin e perimeve. Nga kjo punë e dobishme, shumë familje sigurojnë ekzistencën e vet. sa i takon çmimit në treg, ai aktualisht, në një masë të caktuar mbulon shpenzimet e bëra për prodhimin e perimeve.