Mbrëmë të gjithë, së paku në këtë mbrëmje festive, i kanë harruar problemet, vështirësitë dhe hallet e shumta me të cilat u ballafaquam gjatë vitit 2016, për të festuar të gëzuar dhe të lumtur në natën e ndërrimit të moteve, me urimet dhe dëshirat për një vit sa më të mbarë dhe më të suksesshëm.
Fëmiu i parë i Gjakovës në vitin e Ri është djalë. Në Repartin e Lindjes të Spitalit rajonal Isa Grezda, mamia Cufe Bushati thotë se lindja ka ndodhur në orën 1.30 pas mesnate dhe foshnja e lindur me peshë 3.1 kg dhe nëna janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Në Qendren Kryesore të Mjekësisë familjare gjatë natës janë regjistruar 20 raste të bashkëqytetarëve që kanë kërkuan ndihmën mjekësore. Kryesisht pacientët janë ankuar nga hipertensioni dhe problemet gastrite. Fatbardhësisht nuk ka pasur asnjë rast që kanë pësuar nga mjetet piroteknike.
Gjatë natës më të gjatë të vitit në sektorin e trafikut në rajonin e Gjakovës gjithçka ka shkuar qetë pa ndonjë fatkeqësi trafiku. Këtë e ka konfirmuar për Radio Gjakovën , Komandanti Rajonal i Policisë së Trafikut Albin Sahatqija.
Në Brigadën e zjarrfikësve na thanë se janë regjistruar vetëm dy raste të intervenimit. Ibrahim Gashi udhëheqës i ndërrimit në Brigadën e zjarrfikësve tha se është djegur një veturë dhe nga mjetet piroteknike një lis.