Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” shënoi Ditën Botërore të Ujit me një debat me temën “Natyra për Ujin” ku qëllim i tij ishte sensibilizimi i opinionit për rëndësinë e ujit dhe njoftimin e qytetarëve për ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza. Në këtë debat morën pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.
Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Ismet Ahmeti, njoftoi me punën e mirë që po bëhet me fabrikën e re të përpunimit të ujit që sipas tij nis punën në shtator. Po ashtu, tha se do të nis puna edhe për Impiantin e ujërave të zeza, ndërsa synohet edhe ndërrimi i gypave të ujësjellësit që janë prej azbesti.
“Ne e kemi fabrikën në fazën e fundit dhe në shtator do të fillojë me furnizimin me ujë. Në fazën e dytë do të lidhen më shumë se 200 fshatra”.
“Pas kësaj do të fillojmë më impiantin e ujërave të zeza. Shumë shpejt do të fillojmë edhe me ndërrimin e gypave të azbestit. Më së largu vitin e ardhshëm do të fillojmë me ndërrimin e tyre”, tha ai.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka shprehu përkrahjen për projektet e ardhshme të ujësjellësit “Gjakova”, ndërsa lavdëroi punën e tyre.
“Kjo është dëshmuar edhe në rregullatorin e ujërave. Të gjitha aspektet janë vlerësuar që Ujësjellësi i Gjakovës është vlerësuar”, tha Lluka.
“Jemi duke bërë përpjekje që 100% e qytetarëve të jenë pjesë e kyçjes së ujit të pijshëm. Jemi duke shikuar edhe të ndërrojmë gypat e azbestit. Ajo çka është me rëndësi është që edhe orëmatësit duhet të ndërrohen; është një investim rreth 20 milionë euro për t’u bërë orëmatës digjitalë, sepse orëmatësit aktualë e humbin ujin”, shtoi kreu i MZhE-së.
Kryetari Ardian Gjini tha se Gjakova është e pasur me ujëra, por kërkohet kujdes me mirëmbajtjen. Gjini theksoi mbylljen e projektit të ujësjellësit për fshatrat e Rekës së Keqe, ndërsa shtoi se Komuna do të jetë bashkëpunëtore e ngushtë e KRU “Gjakova”.
Kompania ka avansuar gogja shumë me fabrikën e re për ujë të pijes dhe është avancuar gogja shumë edhe në impiantin. Duhet me u përmend që edhe qeverisja lokale e ka të qartë që do të kemi investime serioze në ujëra”, tha Gjini.
“Kemi biseduar edhe për kyçjen e fshatrave të Rekës së Keqe. Do të fillojë edhe investimi në lumin Krena”, tha ai.
Të pranishëm në debat ishin edhe përfaqësues të konzorciumit Dorsch/CDI, konsulentët e projektit të Trajtimit të ujërave të zeza, Përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe përfaqësues të besimeve fetare