Site icon Gjakovapress

Në kujtim të kolosit, Fehmi Agani

Sot bëhen 21 vjet nga vrasja e Fehmi Aganit, njërës prej figurave më emblematike të Kosovës. Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, u vra afër Lipjanit 21 vjet më parë, nga serbë me uniforma dhe të armatosur. Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit. Për nder të profesor Aganit tashmë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, ndërsa me emrin e tij është emëruar edhe Universiteti Publik në Gjakovë si dhe shkolla fillore Fehmi Agani. Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi..

Njerëzit si Fehmi Agani mbase ikin shpejt, por ata lënë pas vetes vepra të mëdha, që u mbeten testament e udhërrëfim brezave që vijnë. Profesor Agani dhe gjenerata e tij, së cilës i ra hise të luftonte për të drejtat e shkelura të bashkëkombësve dhe të merrte në dorë flamurin prijës në përpjekjet e gjithanshme politike e qytetare për lirinë e Kosovës, ishte pa dyshim një gjeneratë e artë e Kosovës, e cila na dhuroi njerëz të mençur e të urtë, njerëz të guximshëm e vizionarë, të cilët ditën që edhe në orët më të liga të historisë sonë të na prijnë me arsye të shëndoshë, duke i pamundësuar kështu realizimet e skenareve të zeza që na i përgatisnin të tjerët.

Nga perspektiva e sotme kohore, mund të shihet edhe më mirë vlera e madhe që kishin këta njerëz në politikën e Kosovës, në jetën arsimore, kulturore e humane të vendit tonë.

Fehmi Aganin lindi në Gjakovë më 1932 ku edhe kreu shkollimin fillor ndërsa u vra  me 6 Maj 1999 në Prishtinë, Kosovë. Ishte  filozof, sociolog dhe politikan i doktoruar, akademik, gazetar dhe Hero shqiptar i Kosovës.

Exit mobile version