“Janë disa projekte jetike për Komunën dhe banorët e komunës së Gjakovës. Projektet janë nga të gjitha kategoritë duke filluar prej projekteve zhvillimore, atyre ndërkufitare, infrastrukturore e të tjerë”, ka thënë kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila në konferencën për media që u organizua në Prishtinë..
Sipas saj, në kuadër të projekteve infrastrukturore, të cilat në fakt e përbëjnë edhe numrin më të madh që do të prezantohen në këtë konferencë, janë projekti i menaxhimit të mbeturinave, projekti për ndriçimin publik me energji efiçente, ai për menaxhimin e parkingjeve dhe hapësirave reklamuese, projekti për zhvillimin e Shkugëzes dhe kodrës së Çabratit, projekti për stadiumin e ri të qytetit, për parkun e qytetit, ai për rivitalizimin e transportit urban, përfshirë këtu edhe pikat e pritjes, e të tjera… Ajo po ashtu ka treguar edhe për sfidat që ka komuna e Gjakovës, ngecje në aspektin e funksionalizimit të zonave ekonomike, me theks të veçantë pengesat nga Bordi i AKP-së, kur dihet se komuna e Gjakovës tashmë ka filluar negocimin për qiramarrje afatgjatë të tri hapësirave që janë sot nën menaxhim të Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe si rrjedhojë e mos kompletimit të bordit ka mbetur ende pa u funksionalizuar kjo kontratë për themelimin e zonës industriale në Gjakovë, tha Kusari –Lila.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit tha se qeveritë lokale janë shumë të rëndësishme për nxitjen e investitorëve të huaj. Ai po ashtu në emër të AKB-së e përkrahë iniciativën e kryetares Kusari- Lila për konferencën me investitorë. Po ashtu edhe Lendita Kastrati kryetare e Dhomës Ekonomike të Grave tha se ofron përkrahje Komunës së Gjakovës në këtë iniciativë.