Nxënësit e talentuar në shkollën nëntëvjeçare “Selman Riza” në Gjakovë janë fitues të çmimit të parë për filmin dokumentar, i njohur si “Oscar Junior”. Në projektin e USAID-it filloristët e paralagjes së qytetit Dardania përgatitën filmin e shkurtër dokumentar me titull “Friends” apo në shqip “Shokët”, nën regjinë e mësimdhënëses Selamete Byci.
Filmi për temë ka fenomenin e braktisjes së shkollës, që vjen si refleksion i gjendjes së rëndë sociale, varfërisë, botëkuptimeve të vjetra e faktorëve tjerë psiko-social, ndërsa nxënësit e klasave të nënta të Selman Rizës, me talentin e tyre prej aktorëve, dhanë mesazhin e qartë se si duhet luftuar këtë fenomen.
Në rolin kryesor , atë të Andit u prezantua Kristian Lleshaj, ndërsa luajtën edhe 12 nxënës tjerë mes të cilëve Manuel Gjokaj, Driton Ademi, Kristian Nou, Sehar Soka, Gazmir Halilaj e të tjerë.
Çmimi i parë në konkurrencën e madhe të filmave dokumentar në gjuhën angleze nga e gjithë Kosova, konsiderohet si një sukses i madhë i këtyre të rinjve, të cilët angazhimin në realizimin e filmit e shohin si një mundësi për të dëshmuar talentin e tyre dhe në anën tjetër për t’ia shtuar krenarinë shkollës “Selman Riza’.