Në komunën e Gjakovës, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 25 raste të reja me Covid 19, duke e ngritur numrin e përgjithshëm të rasteve në 1 mijë e 420. Nga muaji mars e deri me sot, në komunën e Gjakovës këtij virusi, duke llogaritur edhe një rast të vdekjes të një 71 vjeçari, nuk i kanë mbijetuar 60 persona. Numri aktiv i qytetarëve me koronavirus është 445, ndërsa deri me tash janë shëruar 915 pacientë. Vetëm në 24 orët e fundit janë shëruar 50 pacientë që ishin të infektuar nga Covid 19.
Situata në Spitalin e Gjakovës, edhe sot tregohet e rënduar. Numri i të dyshuarve me Covid 19 që po marrin shërbimet shëndetësore në Spital, është rritur duke arritur numrin 91. Kapacitetet e përgatitura për të pranuar të sëmurët me Covid janë 135 dhe nga dita në ditë po i afrohet kapaciteteve maksimale.
Aktualisht janë vetëm 44 shtretër të lirë. Sipas raportit të sotëm 60 pacientë janë të konfirmuar pozitiv, 14 janë negative ndërsa 18 janë ende të pakonfirmuar. Me oksigjenoterapi janë 47 pacientë kurse gjendjen më të rënduar e kanë 6 pacientë me CPAP maskë dhe një në respirator. Nuk i kanë shpëtuar virusit korona as mantelbardhët. Sipas raportit të sotëm 3 janë nga stafi mjekësor, 6 infermier dhe 3 të tjerë nga stafi tjetër i spitalit.