
Për pesë muajt e parë të këtij viti në regjionin e Gjakovës, për shkak të mosrespektimit të rregullave të trafikut rrugor, pa patentë shoferi kanë ngelur rreth 410 shoferë. Policia e Kosovës është duke vazhduar me aktivitete që kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve. Kështu, gjatë periudhës kohore janar – maj të këtij viti, Policia ua ka ndaluar vozitjen mijëra shoferëve. Sipas policisë, në nivel vendi 2 mijë e 506 shoferëve për pesë muajt e kaluar u është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik, kurse 5 mijë e 859 shoferëve, iu kanë vendosur pikë negative. Në regjionin e Gjakovës , ku hyjnë komunat Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë, sipas Albin Sahatqisë, komandant i trafikut për regjionin tonë, gjatë pesë muajve iu është marrë patentë shoferi 410 shoferëve që janë zënë duke drejtuar makinat pa i respektuar rregullat e trafikut, ndërkohë që rreth 600 shoferëve iu kanë vendosur pikë negative.
Policia ka apeluar që të respektohen rregullat në trafikun rrugor, në të kundërtën mund të mbeten pa patentë shoferi!