Gjendja e rëndë financiare në K.F “Vëllaznimi” është si rezultat i keq menaxhimit të klubit që nga viti 2007, ku vetëm si borxhe të komunalive janë trashëguar mbi 100,000 euro dhe kjo situatë e vazhdueshme ka shkaktuar në vazhdimësi probleme të natyrës financiare. Megjithatë, duke diskutuar rreth alternativave të mundshme dhe zgjidhjeve të problemit financiar, kryetarja Mimoza Kusari-Lila i njoftoj nga afër përfaqësuesit e klubit që komuna e Gjakovës deri ditën e Premte, me datë 27 Shkurt 2015, nga kategoria e subvencioneve, për Vëllaznimin do të dhuroj 15,000 euro nga subvencionet e Drejtorisë së Kulturës dhe 15,000 euro nga subvencionet e zyrës së Kryetares, duke bërë të mundur që të paguhen lojtarët dhe të vazhdoj kështu rrjedha e takimeve të parapara në super ligë.
“Kemi qenë të angazhuar që brenda klubit të krijojmë mundësi për transparencë dhe depolitizim, andaj përpara disa reagimeve emocionale është e domosdoshme që të ketë mobilizim praktik dhe konkret. Gjithashtu, ne jemi duke paraparë ndërtimin e një stadioni të ri në pjesën e rezinës dhe aktualisht jemi në hapat e parë të procesit të fizibilitetit, gjë që për ne, për sportdashësit dhe për vet klubin Vëllaznimi është një mundësi për zgjidhje afatgjatë në aspektin financiar”, tha ndër të tjera kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e klubit e njoftuan kryetaren me gjendjen aktuale dhe pas takimit i konfirmuan kryetares se ndeshja me Prishtinën do të luhet dhe lojtarët do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre për ta mbajtur Vëllaznimin në Super ligën e Kosovës.