– Edhe pse kanë kaluar një muaj e gjysmë nga përfundimi i edicionit të kaluar të garave, asnjë zyrtar i klubit gjakovar ende nuk është prononcuar për dështimin në atë edicion e as për fatin e mëtutjeshëm të klubit, shkruan te marten, e përditshmja “Kosova Sot”
Me 9 tituj të kampionit të Kosovës dhe më 6 Kupa të Kosovës, klubi i futbollit Vëllaznimi i Gjakovës, njëri ndër më të vjetrit tek ne (i formuar më 1927), jo rastësisht llogaritët ndër më të suksesshmit në futbollin kosovar. Bile, sa herë që bëhet fjalë për “katërshen e madhe” të këtij futbolli, aty (së bashku me Prishtinën, Trepçën e Lirinë) futet edhe klubi gjakovar. Mirëpo, kështu ishte dikur e nuk mund të thuhet se është edhe aktualisht. Vëllaznimi, në edicionin e ardhshëm (2013-2014) duhet të bëjë gara në kategorinë e dytë të futbollit kosovar (në Ligën e parë)!
Edicioni i kaluar i garave, ishte ndër më të pasuksesshmit për klubin gjakovar. Në fakt, Vëllaznimi, statusin e anëtarit të elitës së futbollit kosovar e pati humbur edhe para 12 vitesh (në edicionin 2000-2001), por kësaj here ngecja e gjakovarëve ishte aq e theksuar, pasi kishin madje 15 pikë më pak se Llamkos Kosova e cila u detyrua të luaj në barazh, sa që del se ky ishte dështimi më i madh në historinë e këtij klubi. Sigurisht se ky bilanc i ka dëshpëruar pa masë simpatizuesit e shumtë të këtij klubi, por, ata, pos dëshpërimit, do të duhej të jenë edhe shumë të brengosur për fatin e mëtutjeshëm të klubit të tyre. Këtë nuk e themi rastësisht, pasi, edhe pse kanë kaluar një muaj e gjysmë nga përfundimi i edicionit paraprak të garave, ende asnjë nga zyrtarët e lartë të klubit nuk ka dashur që në këtë periudhë të flas publikisht për arsyet e këtij dështimi e as për fatin e mëtejmë të këtij klubi me nam. Dëshpërimi i madh për shkak të këtij dështimi, kurrsesi nuk mund të jetë arsyetim për këtë heshtje plotësisht të pakuptueshme dhe ndjellakeqe! Madje edhe kur gazetarët i drejtohen ndonjërit nga zyrtarët e klubit, përgjigja e tyre thuajse është identike – më nuk jam në klub?!, shkruan,pos tjerash Blerim Vula në “Kosova Sot”.