
Gjakova për gati dy javë do të jetë qendër e hendbollit kosovar. Dy përfaqësueset tona do të përgatiten për garat ndërkombëtare në Gjakovë. Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve më datën 4 dhe 8 janar 2017 zhvillon ndeshjet kualifikuese të fazës së parë në kuadër të grupit B për kualifikimet për EURO 2020 me Kombëtaren e Estonisë. Takimi zhvillohet në Gjakovë me 4 janar por edhe përgatitjet nga dita e sotme vazhdojnë në qytetin tonë. Në Gjakovë do të stërvitët dy herë në ditë në pallatin e sporteve ‘Shani Nushi’, dhe më shumë do te punohet në përgatitjen e ndeshjes kundër Estonisë, me ç‘rast do të punohet më shumë taktikisht , edhe përkundër asaj se mungesat e theksuara të disa lojtarëve e kanë vënë para një sfide përzgjedhësin Taip Ramadani. Në përbërjen e përfaqësueses së Kosovës në hendboll janë edhe katër hendbollistë gjakovarë , dy që luajnë për Besa Famiglinë, Arbër Curri e Kastriot Jupa si dhe dy të tjerë që luajnë në Evropë, Roland Ndreca në Gjermani dhe Valon Dedaj në Zvicër.
Edhe Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve për grupmoshën U21 në Gjakovë nisi përgatitjet për kualifikimet për Kampionatin Botëror 2017 që mbahet në Rusi, kurse ndeshjet kualifikuese të grupit të 4-të të zonës së Evropës së bashku me Slloveninë, Ukrainën dhe nikoqirin Sllovakinë. Turneu zhvillohet sipas shortit në Hlohovec të Sllovakisë nga data 5-9 janar 2017. Kryetrajneri Fatmir Muhaxheri ka përzgjedhur lojtarët të cilët do te jenë në përgatitjet 7-të ditore deri me datën 4 janar 2017 , ku pastaj udhëtohet për Sllovaki. Mes hendbollistëve të kësaj përfaqësuese janë edhe hendbollistët e talentuar Egzon Lluka dhe Arti Luzha nga skuadra e Vëllaznimit, ndërsa në shtabin teknik gjendet edhe trajneri nga Gjakova, Leonard Cula.