Gjakovapress

Gjakovë: 107 mijë e 660 votues për Zgjedhjet parlamentare

zgjedhjetPas 10 ditësh fushatë intensive, vendi ynë prej mbrëmë në orën 24.00 ka hyrë në periudhën e heshtjes elektorale, e cila do të përfundojë nesër në orën 07.00 të mëngjesit, me fillimin e procesit të votimit. 31 subjekte në tërë Kosovën, ndërsa vetëm 10 prej tyre në komunën e Gjakovës kanë ofruar gjatë këtyre ditëve alternativat dhe premtimet e tyre elektorale, ndërsa ndryshe nga herët e kaluara, interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në tubimet elektorale ka qenë më i vogël.

Nga ana tjetër, ajo që është vlerësuar si pozitive, ka qenë ecuria e fushatës, me ç’rast nuk është raportuar asnjë incident. Ndërkohë, nesër prej orës 07 të mëngjesit, si në të gjithë vendin ashtu edhe në komunën e Gjakovës do të hapen vendvotimet, për ta përmbyllur kështu këtë periudhë zgjedhore, nëpër të cilën kaluam këto javë të fundit.

Ndryshe, në komunën e Gjakovës, të drejtë votimi kanë 107 mijë e 660 votues, të cilët do të mund të votojnë në 28 qendra të votimit, me gjithsejtë 134 vendvotime. Votuesit kanë mundësi të zgjedhin 5 kandidatë të një partie nga 10 subjekte politike sa garojnë në Gjakovë, nga të cilat gjashtë shqiptare, katër nga komunitetet, konkretisht 3 nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas e një nga komuniteti boshnjak.

Pas aksidentit që ndodhi dje në ambientimet e Korporatës Energjetike të Kosovës në Obiliq, me ç’rast humbën jetën 2 punëtorë, qytetarët e komunës së Gjakovës janë solidarizuar me familjarët e të ndjerëve. Me organizim të disa subjekteve politike por edhe të institucioneve tjera, kryesisht arsimore, mbrëmë në ambiente të ndryshme të qytetit të Gjakovës janë ndezur qirinj dhe janë bërë homazhe. Të parët që e kanë marrë këtë iniciativë kanë qenë të rinjtë e disa subjekteve politike, të cilët kanë ndezur qirinj para objektit të KEK-ut në Gjakovë, ndërsa kësaj nisme i janë bashkuar edhe studentët e kolegjit Universum. Të rinjtë pjesëmarrës kanë thënë me këtë rast se bashkëndjejnë me familjet e dy viktimave të shpërthimit në KEK, teksa kanë apeluar tek institucionet përgjegjëse që të angazhohen për më shumë siguri në vendet e punës në të gjitha vend-punimet e Kosovës

Exit mobile version