
Aktualisht interesimi i fermerëve të komunës së Gjakovës për kultivimin e lulediellit këtë pranverë është i vogël. Vetëm për tre hektarë luledielli të mbjellur janë të interesuar fermerët e Gjakovës pas kërkesës që kishin bërë prodhuesit Italian të vajit. Kjo është siperfaqe e vogël përballë kërkesave prej 500 hektarëve që kishin kërkuar investitorët Italian të interesuar që në Gjakovë të ndërtojnë edhe një fabrikë për prodhimin e vajit ushqimor.. Megjithatë siç thonë në Drejtorinë komunale për Bujqësi, ky është viti parë dhe bazuar në faktin se sensibilizimi I fermerëve për të kultivuar këtë kulturë industriale ka nisë me vonesë, vitin tjetër mundë të pritet rritje e interesimit.
Drejtori i Bujqësisë, Bekim Ermeni thotë se prodhuesit e interesuar për mbjelljen e lulediellit për shkak të vonesës së përgatitjeve kanë humbur edhe subvencionet që ndanë Ministria e Bujqësisë për cdo hektarë të mbjellë me lule diell, prandaj kjo edhe ka qenë një nga shkaqet e mosinteresimit. Ndryshe, Kompania italiane ka kërkuar 3 hektarë pronë për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e vajit, ndërsa bashkë me fermerët lokal ka kërkuar të mbjellë rreth 500 hektarë me luledielli.
Gjatë viteve të 80-ta në rrethin e Gjakovës , kultivimi i kësaj kulture, zinte një vend të rëndësishëm. Për shkak të veçorive të tokës në Gjakovë , kjo kulturë jep rendiment të mirë.