Për ta përballuar këtë gjendje kërkohet mobilizim i përgjithshëm krahas kompanive të pastrimit të borës edhe nga vet qytetarët duke hequr borën para shtëpive e bizneseve në mënyrë që rrjedha e ujit të drejtohet nëpër puseta.
Në të këtilla rrethana edhe nga shoferët kërkohet më shumë kujdes nëpër rrugët dytësore ku vetura e këmbësorë ecin nëpër të njëjtat shtigje
Rreth situates së krijuar në komunën e Gjakovës pas motit të ligë me një komunikatë ka dalë edhe komuna në të cilën thuhet:
Pas reshjeve të fundit të shiut në Komunën e Gjakovës, ekspertë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë dalur që të monitorojnë situatën në zona të ndryshme të Komunës. Me këtë rast janë evidentuar dëmet e para të cilat kanë shkaktuar probleme sidomos në mbarëvajtjen e procesit mësimorë, ku orët janë zhvilluar me orar të shkurtuar. Mësimi nuk është zhvilluar në shkollën “Durak Ahmeti” në Demjan 1, “Kongresi i Manastirit” në Demjan 3, kurse në shkollën “Pjetër Bogdani” Demjan 2 mësimi është zhvilluar me orar të shkurtuar. Për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut, vështirësi kishte edhe në shkollën “Zekria Rexha” ku mësimi është ndërprerë në pjesën e dytë të ditës.
Gjithashtu, për shkak të nivelit më të madh të reshjeve të borës dhe shiut, vështirësi kishte në rajonin e Hasit dhe të Dushkajës, kurse sa i takon lëvizjes së qytetarëve rrugët përgjithësisht ishin të qarkullueshme me përjashtim të rrugëve të cilat janë në proces të punimeve dhe ku rrjedha ujit të mbledhur qarkullon me vështirësi.
Nga tereni deri me tani nuk është raportuar që të ketë pasur ndonjë përmbytje, e as dalje të ndonjë lumi nga shtrati.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Gjakovës mbetet në vëzhgim të vazhdueshëm të situatës, ku prindërit dhe nxënësit do të njoftohen të enjten pasdite, per mbarevajtjen e mesimit në shkollat e Komunës së Gjakovës diten e Premte. Kështu thuhet në njohtimin e komunës së Gjakovës derguar mjeteve të informimit.