Për këtë datë të shënuar të arsimit shqip në Kosovë dhe më gjerë, e gjithsesi dhe me interes të përgjithshëm kombëtar, kryetarja Mimoza Kusari – Lila, në fjalën e saj uruese ka theksuar ndër tjerash, se shtatëdhjetë vite më parë, u hap shkolla jashtëzakonisht domethënëse për themelet dhe ecurinë e arsimit shqip, jo vetëm në komunën e Gjakovës, por në mbarë Kosovën dhe më gjerë. “Gjakova, si një qendër zhvillimore, historike dhe atdhetare, në çdo kohë dhe proces ka ditur të jetë koherente, si dhe ka ditur të jetë prijatare, e këtë e bëri edhe me mbarimin e luftës së dytë botërore dhe në vitin 1946, kur u hap shumë e njohura “Normalja e Gjakovës”, ka thënë Kusari – Lila.
Kusari – Lila, ka përmendur edhe kontributin që Gjakova dhe banorët e Gjakovës patën dhënë për themelimin e kësaj shkolle.
“Kur kujtojmë atë kohë, nuk kemi se si të mos kujtojmë thënien e mësuesit dhe hartuesit të abetares në Kosovë, të ndritshmit Mehmet Gjevori, i cili pohoi se: Është nder i madh e meritë e posaçme për çdo gjakovar që ka plot të drejtë të jenë krenar, sepse Gjakova është qyteti i parë që ka nxjerrë mësues e mësuese të kualifikuar, të ri e të reja kosovar, madje nga viset tjera”. , ka përfunduar Kusari – Lila.
Në nderim dhe respekt të themeluesve dhe kontribuuesve për zhvillimin e kësaj shkolle, kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka ndarë mirënjohje post mortum për të ndjerët Beqir Kastrati, Mehmet Gjevori, Fadil Hoxha dhe Xhavit Nimani, të cilat janë pranuar nga familjarët e tyre. Ndërkohë, mirënjohje është ndarë edhe për ish “Normalen e Elbasanit”.
Për historikun, motivacionin dhe rëndësinë e themelimit të kësaj shkolle kanë folur prof. dr. Mehmet Rukiqi, prof. dr. Isa Bicaj dhe prof. dr. Alban Dobruna.
Gjithashtu në këtë solemnitet përkujtues është lexuar edhe një pjesë e një shkrimi të Mehmet Gjevorit në pesëdhjetë vjetorin e themelimit të “Normales së Gjakovës”, që këtë institucion arsimor e ka vlerësuar si: ”Përmendore e paharrueshme”.