Në komunën e Gjakovës është në përfundim e sipër vjelja e mollëve në rreth 70 hektarë pemishte. Edhe pemëtarët kishin një sezon të vështirë për shkak të motit me breshër që ka lënë pasoja në rendimentin e mollëve.
Sipas ekspertit të pemëtarisë, Pjetër Frrokaj i cili njëkohësisht është edhe drejtues i Shoqatës së pemëtarëve “Saturn” në Gjakovë, shumë kultivues të mollës këtë vit janë dëshpëruar me prodhimin e dëmtuar nga breshëri. Sipas tij mollët kanë qenë të piketuara nga kokrrat e breshrit që e kanë dëmtuar atë, prandaj shumica janë detyruar që këtë prodhim ta shfrytëzojnë për përpunimin industrial.
Ndryshe mollët vendore, nga plantacionet e pakta të fermerëve gjakovarë qysh kur kanë filluar të dalin në treg e kanë zbritur dukshëm çmimin e lartë të importit që na shoqëron pothuajse në pjesën më të madhe të vitit. Dikur komuna e Gjakovës ka qenë e njohur për qindra hektarë me plantacione të mollës në kuadër të kombinatit bujqësor industrial “Ereniku”.(gjakovapress.info)