“Kërkojmë nga secili prej jush që deri në ditën e zgjedhjeve të punoni në sensibilizimin e elektoratit që të dalë sa më shumë në zgjedhje dhe me datën 3 nëntor, secili nga ju të marr me vete edhe nga 20 votues të tjerë dhe ata të përkrahin fuqishëm PSHDK-në si dhe kandidatin për kryetar Dr. Pal Lekaj. Nëse e bëjmë këtë atëherë të jemi të sigurt se do të dalim si parti e fuqishme në Kuvendin Komunal. Të jemi të sigurt se pa marrë parasysh kush do ta ketë shumicën, nuk do të mund ta formojë qeverinë komunale pa ne. Pra, ne kërkojmë që edhe në katër vitet e ardhshme, t’i kemi të hapura dyert e kuvendit komunal, të jemi pjesë e ekipit politikbërës, të jemi zëri juaj aty”, ka thënë me këtë rast kryetari i Bashkësisë së Degëve të PSHDK-së në Gjakovë, Janez Frrokaj.
Votën për PSHDK-në e ka kërkuar edhe kryetari i këtij subjekti politik Ukë Berisha, i cili ka thënë se me votë për demokristianët votohet e ardhmja evropiane e Kosovës. “Ne nuk e kërkojmë votën për të abuzuar me të për interesa klanore, klienteliste dhe korruptive, por për të ju përgjegjur me llogaridhënie të gjithë qytetarëve dhe elektoratit. Duhet ta votoni PSHDK-në sepse PSHDK-ja është identitet evropian i Kosovës”, ka thënë Berisha.