Në këto ditë kur vapa ka filluar të bëhet më e madhe, zyrtarë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Radoniqi” kanë njoftuar se ka filluar të rritet edhe dukuria e keqpërdorimit të ujit të pijes, dukuri që këtë kompani po e përciell tash e sa vjet.
Nga ana tjetër edhe zyrtari për informim i “Radoniqit” në Gjakovë, Bekim Gola, duke i konfirmuar rastet në Rahovec, ka pranuar se të tilla raste të keqpërdorimit ka plot, qoftë në Gjakovë, qoftë edhe në Rahovec e Prizren, ku kompania ka konsumatorë. Sipas Golës kjo dukuri po shkakton telashe si për kompaninë ashtu edhe për konsumatorët e ndërgjegjshëm, të cilët po detyrohet të përballen me reduktime të ujit.
“Këto ditë e kemi rritur intensitetin e kontrolleve dhe në të gjitha rastet që po hasim në kyçje ilegale dhe keqpërdorim të ujit po e bëjmë çkyçjen, por në të njejten kohë edhe po inicojmë procedurë penale përmes gjyaktës”, ka thënë Gola, i cili u ka rikujtuar të gjithë atyre që tentojnë të kyçen ilegalisht dhe ta keqpërdorin ujin e pijes, së në bazë të nenit 321 të Kodit Penal të Kosovës, dënimi për këtë vepër, që konsiderohet vepër penale, është prej gjobës financiare deri në 3 vjet burgim.
Prandaj, Gola ka apeluar tek konsumatorët që në asnjë menyrë dhe për asnjë arsye të mos tentojnë të kyçen ilegalisht në sistemin e ujit të pijes dhe ta përdorin atë për ujitje, sepse me të tilla veprime, përpos që mund t’i shkaktojnë rreziqe dhe gjobitje vetvetes, po e detyrojnë edhe kompaninë që të aplikojë orarin e reduktimit.
Nga ana tjetër, njëri nga rahovecjanët që është kapur në flagrancë duke e ujitur arën e tij me ujë të pijes, nuk ka pranuar të identifikohet për gazeten, por ka thënë se këtë veprim e ka ndërmarrë për shkak se nuk ka pasur zgjidhje tjetër.
“Në mungesë të sistemit të ujitjes, po jemi të detyruar të përdorim alternative tjera, qoftë kjo edhe përdorimi i ujit të pijes. Në të kundërten, ka rrezik që të gjitha të mbjellat tona të shkatërrohen në këtë vapë”, ka thënë ai.