Të dielen(neser) prej ores 16.00 në brigjet e Drinit të bardhë , mbahen garat tradicionale të kërcimeve në ujë nga Ura e Fshenjtë. Ky është edicioni I 70 me radhë që flet për traditën e gjatë. Për Urën e Fshenjtë është thurur legjenda, njëra ndër më të bukurat e letërsisë popullore shqiptare dhe kjo legjendë është kultivuar me legjendat e trimave të lartësive që pushtojnë qiellin.
Ndërtimi i kërcimores skaj Urës, viteve të fundit ka nxitur të rinjtë që veten ta sprovojnë edhe nga lartësi më të ulëta se sa Ura. Niveli më i lartë i kërcimores është 13 metra dhe aty, në ditën e garave, do të zhvillohen edhe kërcime në stilin dallëndyshe dhe kërcime akrobatike. Organizatorët kanë thënë se trimat e lartësive neser sprovojnë talentin, guximin, elegancën rinore duke marrë pjesë në garat tradicionale të kërcimeve atraktive në ujë nga Ura e Fshenjtë dhe se e diela është një ditë e veçantë që vetëm këto gara dinë të ofrojnë për adhuruesit e këtij sporti atraktiv, për notin, ujin dhe diellin.
Për shkak të pandemisë Covid 19, organizatori, klubi i notit Brigde Divers ka këshilluar: Vendosni Maskën, Mbani Distancën Fizike , mbani higjenën duke u kujdesur për vetën dhe të tjerët.
Të themi në fund se Garat i ka mbështetur komuna e Gjakovës , Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Ministria e Kulturës. Mysafir special do të jetë humoristi i shquar Sevdai Radogoshi.