Në një akademi të organizuar me këtë rast në të cilën bashkëorganizatore tradicionalisht është Komuna e Gjakovës, kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, mes tjerash ka thënë se krahas kujtimeve e nderimeve për martirët e dëshmorët, të gjithë ne vazhdojmë të përballemi edhe me dhimbjen e madhe e cila ende nuk është lehtësuar, ndërsa plagët e shkaktuara në 27 prillin e vitit 1999 vazhdojnë të mbesin të hapura për shumë familje në Kosovë.
Kryetarja Kusari – Lila gjithashtu ka përmendur faktin e dhimbshëm që edhe pas 18 vjetësh të masakrës së Mejës, por edhe masakrave tjera në Kosovë, fajtorët ende nuk e kanë marrë dënimin e merituar.
Në akademinë përkujtimore në përvjetorin e Mejës ka marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka thënë se kërkesat e vazhdueshme të familjarëve të të pagjeturve janë të drejta dhe se institucionet e shtetit të Kosovës po e bëjnë maksimumin që çështja e të pagjeturve të zgjidhjet një herë e përgjithmonë.
Në emër të qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Isa Mustafa, në këtë akademi ka folur ministri Avdullah Hoti, ndërsa në emër të familjarëve të të pagjeturve kanë folur Bajram Çerkini nga Mitrovica dhe Zeqë Tahiri nga Gjakova, të cilët kanë kërkuar të bëhet më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve si dhe të përshpejtohen punët për rregullimin e Kompleksit Memorial të Mejës.