Puna për inskenimin e kësaj shfaqjeje ka filluar para më shumë se një muaji, ndërsa, edhe po të fillonim më herët punën, stinorin e pranverës ne do ta mbyllnim vetëm me këtë premierë”, ka thënë Edi Kastrati, drejtor i Teatrit profesionist të Gjakovës, duke shtuar se punët në përgatitjen e kësaj shfaqjeje kanë shkuar mjaft mire.
Ai ka bërë të ditur se mbështetjen financiare për realizimin e kësaj premiere e kanë pasur nga Ministria e Kulturës e Kosovës, nga Drejtoria Komunale e Kulturës dhe Kolegji “Universum”.
Regjisori i ri, mysafiri nga Gjilani, Erson Zymberi, i cili për herë të parë është duke punuar me trupën teatrore të Gjakovës per gazeten Kosova sot, ka vleresuar punen perkushtuese te trupes artistike , ndërsa rreth përmbajtjes së shfaqjes ai ka deklaruar:
“Ky tekst, jo vetëm që korrespondon me realitetin kosovar, por mendoj se është shumë i ngjizur me këtë realitet, saqë njeriu e fiton përshtypjen se është shkruar enkas për ne. Kjo është një satirë politike me elemente groteske, që përshkruan një kohë lufte dhe periudhën pas asaj lufte, duke pasqyruar jetën e disa njerëzve në një çmendi”, ka sqaruar Erson Zymberi.
Në këtë shfaqje është e angazhuar një trupë prej 7 aktorëve gjakovarë, të prirë nga doajenia kosovare e aktrimit, Myrvete Kurtishi, e ku gjenden edhe Ylber Bardhi, Altina Kusari, Edmond Hafizademi, Ylber Ballata, Valon Pallaska dhe Bujar Ahmeti. Skenografinë e ka përgatitur skenografi i njohur kosovar, Petrit Bakalli, ndërsa kostumet Valmira Rrahmani.