Piku i stinës së verës ka ardhë me temperatura të larta të ajrit të cilat janë bërë shkas që një numër i bashkëqytatërve të kërkojnë freski në ambiente të përshtatshme banimi e qëndrimi, por edhe në vendpikniqe të Gjakovës. Brigjet e Erenikut, Drinit dhe lumenjve tjerë kanë mjaftë pushues ditor, ndërkohë që qendra rekreative Shkugëza po shënon numër të madh të adhuruesve të natyrës që po e vizitojnë gjatë tërë ditës.
Temperaturat e larta të ajrit bashkë me frekuencën e madhe të automjeteve nëpër rrugët tona po shkaktojnë nervozizëm nga pjesëmarrësit në trafik e bashkë me të edhe aksidente trafiku. Disa shoferë të padurueshëm nga vapa, me ndalime e parkime vend e pavend po thyejnë rregullat e trafikut duke tejkaluar kolona dasmoresh e duke bllokuar rrugë me parkimet nëpër trotuare. Padyshim se rruga nëpër Çarshinë e Vjetër që qon tek ambulanca dhe lidhë me pjesën tjetër të qytetit pastaj kyçjet në rrugën kryesore Skënderbeu nga Blloku i ri, dhe kyçja në rrugën transite qindra metra më larg, po paraqesin fyt të ngushtë për trafikun.
Fatmir Berisha, udhëheqës i sektorit të trafikut në Kuvendin komunal të Gjakovës, thekson se një ngarkesë të tillë të madhe vështirë se e përballojnë edhe qytete tjera me më shumë rrugë të gjëra. Gjakova sipas tij ka trashëguar shumë rrugë të ngushta që janë vitale për qarkullimin e trafikut. Lidhur me këtë shqetësim të pjesëmarrësve në trafik, Berisha thekson kujdesin e shtuar të pjesëmarrësve në trafik, duke respektuar rregullat e trafikut dhe duke mos u ndaluar para bizneseve nëpër rrugët e ngushta, por të kërkojnë vende adekuate parkimi.
Berisha ka përmednur “fytat e ngushtë të trafikut” në rrugën Qazim Bakalli në Çarshinë e Vjetër, pastaj rrethrrotullimin në lagjen Mula Jusuf, tek sheshi Agron Rama dhe në rrugën “Skenderbeu”.